Regjimi ‘41- Bis’/ I akuzuar për vrasjen e 4 policëve në ’97 dhe 2 arratisje nga burgjet përfundon në izolim të plotë…

Shpërndaje

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, ka vendosur në Regjim të Posaçëm “41-bis” në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë njëvjeçare të burgosurin, Fran Marashi, i lindur dhe banues në Shkodër.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë: 

– Pjesëmarrje në banda të armatosura 

– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste) 

– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste) 

– Vrasje me dashje 

– Heqje e paligjshme e lirisë 

“Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”. Nga të dhënat rezulton se i burgosuri ka shkelje të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucion. Ai përbën rrezik të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Kush është Fran Marashi?

Fran Marashi, është i dënuar me burgim të përjetshëm si një nga autorët e Masakrës së Urës Vajgurore, ku mbetën të vrarë 5 persona mes tyre 4 policë. Fran Marashi u arrestua në vitin 2006 në Itali dhe u ekstradua në atdhe në 2007 për të vuajtur dënimin për “Masakrën e Urës Vajgurore”. Megjithatë, në vitin 2008, ai kishte mundur të arratisej nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Burrel së bashku me një të dënuar tjetër, por ishte kapur brenda ditës nga policia. Më 20 shtator 2011 Fran Marashi tentoi sërish të arratiset nga Burgu i Sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, së bashku me Gëzim Gurin dhe Prel Vucaj të dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Altin Kodra ishte dënuar me 22 vjet burg. Ata u pikasën nga roja e shërbimit jashtë qelisë së tyre. Hera e fundit e përpjekjes për t’u arratisur ndodhi në Burgun e Drenovës në 23 nëntor 2013. Fran Marashi dhe 6 të dënuar të tjerë, mes tyre dhe Admir Tafili mundën të arratiseshin nga IEVP Drenovë. Ngjarja shkaktoi një skandal të vërtetë për shtetin shqiptar. Megjithatë, Marashi u kap më pas. Në 13 dhjetor 2013, ai kërkoi në Gjykatën e Tiranës rigjykimin ndaj tij për “Masakrën e Urës Vajgurore”.

Si ndodhi “Masakra e Urës Vajgurore” në ditën e fushatës elektorale?

Përplasja e armatosur në Urën Vajgurore ka filluar në orën 11:55 të paradites së 17 qershorit 1997, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme pasi vendi ishte zhytur prej muajsh të tërë në destabilitet total pas rënies së firmave piramidale. Atë ditë, në këtë qytet ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD në miting Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD u largua dhe pas saj erdhi ajo e Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit, si dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Në kthimin e eskortës së policisë, pikërisht në Urën Vajgurore, persona të armatosur dhe me maska sulmuan me armë të rënda antitanke autoblindën e policisë, ku për pasojë, dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut. Dy të tjerët, Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindës. Ndërkohë që të plagosur mbetën punonjësit e policisë: Thimi Tanku, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Engjëllush Pasha, Arben Bega dhe Shkëlqim Selfo. Për fat të keq, nga përplasjet e shumta me armë ndërroi jetë dhe 1 civil, i quajtur Ilir Bani.

Çfarë është regjimi i posaçëm ’41-bis”? 

Regjimi i posaçëm “41-bis” zbatohet ndaj individëve që kanë kryer vepra të rënda penale në kuadër të organizatave kriminale, terroriste apo bandave të armatosura dhe që përbëjnë rrezik të lartë shoqëror.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e përkushtuar në zbatimin rigoroz të masave për të garantuar sigurinë dhe për të luftuar veprimtarinë kriminale brenda institucioneve penitenciare.”, thuhet në njoftim.

Për herë të parë të parë në Itali termi “41-biss” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.

Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.

Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.

Shpërndaje