Reforma Zgjedhore, Celibashi: Adresoni vendimet e Kushtetueses për votimin e emigrantëve dhe herësin…

Shpërndaje

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi kërkoi sot që komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore të adresojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me votimin nga jashtë dhe shfuqizimin e dispozitës të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me herësin, kufirin prej 10 mijë votash për votën preferenciale.

Në një seancë dëgjimore para anëtarëve të këtij komisioni, Celibashi theksoi se “kjo është një çështje që i përket partive politike”.

Celibashi solli në vëmendjen e komisionit edhe një listë çështjesh të reformës zgjedhore që duhet të adresohen nga komisioni i posaçëm parlamentar.

Ai theksoi se duhet të adresohet çështja e sigurisë së të drejtës së votës për një kategori votuesish që nuk e kanë të mundur të shkojnë në qendrat e votimit.

“Do të vazhdojmë t’i lëmë pa votuar, apo do t’u krijojmë mundësi të votojnë. Janë rreth 30 mijë votues shqiptarë që për arsye objektive nuk e kanë të mundur të paraqiten në qendrat e votimit për të ushtruar të drejtën e votës”, tha ai.

Celibashi theksoi edhe domosdoshmërinë e përmirësimit të rregullave që lidhen me fushatën zgjedhore në mediet online, internet dhe rrjetet sociale.

Aktualisht, sipas tij, Kodi Zgjedhor parashikon dispozita vetëm për mediet tradicionale radio e televizion. “Edhe për shtypin e shkruar mungon rregullimi”, tha ai.
Ai theksoi po ashtu se duhet të plotësohen rregullat që lidhen me financimin e fushatës zgjedhore, si dhe nevojiten ndryshime në ligjin për regjistrimin fillestar të partive politike.

“Partitë që nuk kanë marrë asnjë mandat në 3 zgjedhjet e fundit duhet të riparaqesin një listë me nënshkrime mbështetëse”, tha ai. Një tjetër çështje që duhet konsideruar, sipas Celibashit është edhe përcaktimi i vendit të numërimit të votave.

Po ashtu, Celibashi theksoi se duhet të vendoset lidhur me organizimin dhe funksionimin e komisioneve në nivelet e dyta e të treta, nëse duhet të bëhet e njerëz që vijnë nga partitë politike apo do të kemi një formulë ndryshe.

“Në raport me qartësinë dhe integritetin e procesit ne kemi probleme që vijnë nga mënyra se si janë të organizuara këto komisione. Mendoj se është akoma herët, duke konsideruar situatën politike , për t’i larguar tërësisht partitë politike nga administrimi i procesit zgjedhor. Por, nga ana tjetër mendoj se në komisionet e dyta dhe të treta të kemi një organizim që i jep mundësi partive politike të jenë prezente dhe të kenë një dorë administrimi në procesin zgjedhor, por fjala e fundit të paktën në aspektin teknik t’i besohej KQZ-së”, theksoi ai.

Celibashi theksoi po ashtu se kusht duhet të jetë që komisionerët apo sekretarët duhet të jenë të trajnuar dhe certifikuar nga KQZ.

“Mendoj se është pak herët që procesi zgjedhor të mund të administrohet tërësisht nga punonjës të shërbimit civil. Kemi nevojë që partitë kryesore politike që kanë peshë elektorale të kenë edhe ata përfaqësuesit e tyre”, shtoi ai.

Celibashi theksoi po ashtu se duhen përcaktuar në ligj rregullat për sjelljen e zyrtarëve dhe drejtuesve të institucioneve publike në fushatën zgjedhore.

“Ka pasur edhe kritika nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas dhe ka nevojë që të ketë përcaktime më të qarta në lidhje me kategoritë apo aspektet e veprimtarive që për një periudhë të caktuar iu ndalohet t’i bëjnë funksionarët publikë”, tha ai.

Shpërndaje