Komiteti Ndërgjyqësor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës, ka vendosur të rrëzojë një kërkesë të kreut të prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, i cili ju drejtua këtij organizmi gjyqësor me një kërkesë për heqjen e masës së ndërmjetme të pezullimit për aksesimin e të dhënave kompjuterike dhe aparateve telefonike,të gazetarit të kronikës së zezë, Elton Qyno.
Vendimi është marrë ditën e sotme në 30 Prill 2024, i cili urdhëroi të rrëzojë parashtrimet e dërguara nga kreu i SPAK, Altin Dumani.
Pas rrëzimit të kërkesës, komiteti ndërgjyqësor i OKB-së urdhëroi unanimisht për herë të dytë që institucioni i SPAK, të përmbahet dhe mos aksesojë të dhënat e gazetarit.
Madje edhe nëse pajisjet janë aksesuar dhe nxjerrë të dhënat e gazetarit, OKB ndalon SPAK ti përdorë ato në proces hetimi apo gjyqësor.
Gjithashtu komiteti ndërgjyqësor pranë OKB-së, kërkoi shtetit shqiptar që të mos kryejë asnjë lloj ndërhyrjeje tek materiali i sekuestruar që nuk ka lidhje me çështjen në hetim, si dhe të caktojë një procedurë për të mbrojtur konfidencialitetin e burimeve të informacionit pa lidhje me çështjen në hetim, ndërkohë që ajo po shqyrtohet nga OKB.
Kjo është herë e dytë që OKB, vendos që SPAK të përmbahet në kryerjen e veprimeve të mëtejshme, deri në momentin e zgjidhjes së çështjes në mënyrë përfundimtare në muajin korrik 2024.
Vendimi i parë i komunitetit është marrë në datën 17 janar 2024 në Gjenevë të Zvicrës. Ndërsa vendimi për pezullimin e çdo veprimi nga SPAK mbi pajisjet e gazetarit Qyno, u është shpërndarë palëve nga Ibrahim Salama, i cili është Shefi i Degës së Traktateve të Drejtave të Njeriut, pranë këtij Komiteti në selinë e OKB-së.
Kjo e bëri kreun e SPAK, Altin Dumani, t’i dërgonte një kërkesë Komitetit të të Drejtave të Njeriut në OKB, ndër të tjera, duke dhënë informacione të pavërteta se gazetari Qyno, kishte publikuar të dhëna nga dosja e hetimit pasi ishte urdhëruar nga prokuroria e posaçme për të mos e bërë këtë, apo që gazetarit Qyno i janë kthyer shumica e materialeve.
Ndërkohë që këto fakte nuk rezultojnë të vërtetë, pasi dy telefonat e tij të punës, 1 telefon “Iphon 6”, i djalit E,Q 11 vjeçar, 7 USB me materiale pune dhe familjare, kompjuteri familjar një zarf me dokumente pune dhe një hard-disk i jashtëm, vijojnë të qëndrojnë në SPAK.
Të gjitha këto përpjekje nga kreu i SPAK, Komiteti i të Drejtave të Njeriut në OKB, i refuzoi duke rrëzuar parashtrimet e tij, për të hequr masën e pezullimit.
Nga ana tjetër beteja ligjore e gazetarit të “Ora News” Elton Qyno vijon dhe në Shqipëri, por për shkak se Gjykata e Lartë, prej më shumë se dy muaj e 12 ditë vijon të mos zbardhë vendimin e saj të datës 20 shkurt 2024 që legjitimoi sekuestrimet e sendeve të punës dhe materialet personale-familjare të gazetarit, çështja ka mbetur në pritje për ti kaluar Gjykatës Kushtetuese.
Të njëjtën veprime Gjykata e Lartë po kryen edhe për rastin e kërkesës së dytë të gazetarit Qyno, i cili kishte kërkuar kthimin e sendeve të sekuestruara.
Në 25 Mars 2024 Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e gjyqtares së Apelit të Posaçëm, Danjela Shirka, duke e konsideruar atë si një vendim të padrejtë dhe në shkelje proceduriale.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë urdhëroi që kërkesa e gazetarit Qyno për kthimin e sendeve të sekuestruara, të rigjykohet sërisht në Apel, nga gjyqtarja Danjela Shirka.
Edhe ky vendim vijon të mos jetë zbardhur ende.
Elton Qyno është gazetari më i vjetër që prej 18 vite me radhë raporton pa asnjë ditë ndërprerje për veprimtarinë hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe së fundi të SPAK.
Gjatë gjithë punës dhe karrierës së tij ai ka shkruar mbi aktivitetin kriminal dhe emrave më të njohur të botës kriminale në Shqipëri, që dikush nga gazetarët e tjerë as ka pasur kurajën t’i përmendë.
Në punën e tij, Qyno numëron të jetë marrë në pyetje nga prokurori të ndryshme në vend, 13 herë për nxjerrë të sekretit hetimor, gjë që tregon se gazetari nuk është i fokusuar vetëm për informacionin që serviret tek deklaratat për shtyp, por edhe për tej kësaj deklarate, siç bën çdo gazetar profesionist në botë.
Elton Qyno, nuk është as taleban, as muxhahedin, nuk është as anëtar i kampit iranian MEK në Manzë, nuk është as kriminel, nuk është as kërcënuesi familjeve të prokurorëve apo oficerëve të BKH-së që të trajtohet në këtë formë.
Disa prej prokurorëve në SPAK e dinë shumë mirë këtë gjë.
Elton Qyno, është gazetari i cili nga 2005 e në vijim ka përkrahur punën e Krimeve të Rënda, ka përkrahur së fundi institucionin e SPAK dhe përkrahur punën e ndershme të çdo prokurori dhe gjyqtari.
Më mirë se kushdo tjetër Elton Qynon e njohin vetë ata prokurorë, ata gjyqtarë dhe punonjësit e administratës që është në SPAK, nga shoferi e deri tek ai punonjësi i thjeshtë tek dera.
Sigurisht që Elton Qyno hyn në atë grup gazetarësh më kritizerë, mbi mënyrën se si ka funksionuar Krimet e Rënda për çështje të caktuara dhe si funksionon sot SPAK për çështje të përveçme.
Rasti “Qyno” është rasti i dytë brenda pak kohë që prokuroria speciale SPAK në Shqipëri, ndërmerr veprime antiligjore, antikushtetuese dhe që bien ndesh me praktikat ndërkombëtare për rastet e lirisë së medias dhe shprehjes së tyre.
Rasti i parë ndodhi me precedentin e “Lapsi.al”, të administruar nga Andi Bushati dhe Armand Shkollaku, ku SPAK tentoi ti sekuestrojë pajisjet elektronike, por që u ndalua menjëherë nga gjykata e Strasburgut.
Dhe rasti i dytë është precedenti më i rrezikshëm ndodhur në Shqipëri me gazetarin e ”Ora News”, Elton Qyno, i cili u mbajt i mbyllur për mbi 7 orë në SPAK duke i bërë presion për të treguar burimin e informacionit që kishte botuar.
Gazetari i qëndroi dhe nuk ju dorëzua këtij presioni, duke refuzuar të dorëzojë dhe telefonat e tij, për shkak se dhe nuk i kishte me vete ato.
SPAK shkoi edhe më tej duke kontrolluar fizikisht gazetarë madje edhe shoferin e televizionit.
Por teksa kryhej kjo procedurë dhe gazetari mbahej i mbyllur në një zyrë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykata e Posaçme SPAK brenda 55 minuta lëshoi 3 vendime gjyqësore për kontroll, duke lejuar sekuestrimin e të gjitha të dhënave kompjuterike dhe elektronike të gazetarit Qyno.
Pajisjet u sekuestruan gjatë kontrollit fizik, kontrollit të banesës, kontrollit të makinës, kontrollit të vendit të punës dhe njëherësh u bllokua çelësi i makinës.
Rasti i paprecedentë u denoncua nga të gjitha organizmat evropiane dhe globale të reagimit të shpejtë, duke dënuar veprimet e SPAK i veprime që cënojnë burimet gazetareske. /Ora News