Presidenti i republikës Ilir Meta ditën e sotme ishte në qytetin e Shkodrës, ku u takua me Prefektin Çesk Millja dhe me Kryebashkiaken Voltana Ademi në lidhje me situatën e Covid 19.
Meta me atë të një postimi në Facebook tregon çfar biseduan me Prefektin Millja:
Kisha kënaqësinë të takoja sot Prefektin e Qarkut të Shkodrës, z.Çesk Millja, kryetar i Komisionit lokal të Emergjencave, si dhe Drejtorin e Shëndetit Publik, Dr.Astrit Beci, të cilët më njohën me situatën dhe përpjekjet e autoriteteve vendore për të ndihmuar banorët e prekur nga pandemia COVID-19 dhe për masat e marra për menaxhimin e situatës.
U shpreha solidaritetin dhe mbështetjen time për të gjithë banorët e prekur të Qarkut Shkodër të cilëve ju uroj shërim të shpejtë.
Theksova domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit të masave që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari, si dhe rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve dhe kufizimeve të bëra publike.
Besimplotë se qytetarët e mrekullueshëm të Shkodrës, në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin, si dhe me institucionet do ta përballojnë me sukses edhe këtë sfidë. 🇦🇱