Indeksi Global i Krimit ka renditur Shqipërinë mes 70 vendeve nga 193 të analizuara sa i përket krimit të organizuar. Vendi ynë është mes shteteve si Zimbabve dhe Taxhikistani, ndërsa kriminalitetin më të lartë e ka Kongo dhe Kolumbia.
Raport vlerësimi i publikuar nga Indeksi Global i Krimit të Organizuar flet për Shqipërinë si një vend ku dominojnë rrjetet kriminale me influencë në disa veprimtari të jashtëligjshme.
“Grupet e stilit mafioz kontrollojnë tregjet kriminale për drogën, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e njerëzve dhe thuhet se po kalojnë në prokurimin publik. Ata e kanë pozicionuar veten si disa nga organizatat kriminale më të fuqishme në Evropë”, thuhet në raport.
Për zhvillimin e kriminalitetit, indeksi global evidenton se ky fenomen vjen dhe për shkak të bashkëpunimit me funksionarë të shtetit.
‘Raportohet se anëtarët e grupeve të krimit janë emëruar në pozicione politike në nivele të ndryshme brenda aparatit shtetëror. Rrjetet kriminale janë ngulitur shumë në strukturat e nivelit lokal dhe rajonal dhe veprojnë me policinë dhe marrin mbrojtje politike’, evidenton raporti.
Rrjetet kriminale shqiptare janë të përfshira shumë në trafikun e drogës, veçanërisht tregtinë e kanabisit dhe kokainës në Evropë.
Indeksit Global i Krimit të Organizuar evidenton se grupet shqiptare kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të tregtisë së narkotikëve në Evropë.