Rama: Shkodra shembulli se vota vlen. Ne e kthyem përmbys historinë nga degradimi në rilindje…

Shpërndaje

Në një takim me votuesit për herë të parë të qarkut Shkodër, kryesocialisti Edi Rama u ndal te transformimi që ka ndodhur në qytet në dy vitet e fundit kur bashkinë po e drejton PS.

”Personalisht fiksimin e vjetër që si ka mundësi që nuk ma dhanë njëherë shansin shkodranët për t’i provuar se çfarë mund të bëjmë ne për Shkodrën unë e kam nxjerrë dy vite më parë. Më në fund na e dhanë mundësinë dhe në dy vjet ne kemi bërë për Shkodrën atë që nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku”,-tha Rama.

Kryeministri theksoi se nga të gjitha të dhënat ekonomike të biznesit të vogël, vjet ka qenë viti më i mirë i Shkodrës se sapo ka filluar të bëhet edhe një atraksion turistik. ”Nuk janë thjesht ca turistë që kapërcejnë për gjysmë dite nga Mali i Zi, por ka shumë turistë që vijnë enkas për Shkodrën. Kjo falë ndryshimit që ndodhi këtu”.

Po ashtu Rama u shpreh edhe se nëse ka një vend ku mund ta thuash se kush mendon se vota nuk vlen e ka gabim, është në Shkodër. ”Mund të shohësh se si vetëm vota kthen përmbys historinë bashkëkohore të Shkodrës nga një histori degradimi, izolimi zhytje në pluhur e pisllëk në një histori rilindje”, tha Rama. Kryeministri theksoi se ka shumë akoma për të bërë akoma, sepse me qytetet e tjera PS ka pasur mundësinë të punojë më shumë, në një kohë më të gjatë.

Shpërndaje