Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh ditën e sotme se këtë javë do të fillojë dhe riatdhesimi i shqiptarëve të mbetur jashtë shtetit.
Në një videomesazh, ai deklaroi se qeveria e ka gati planin për riatdhesimin e këtyre shtetasve detajet e të cilës do të bëhen të ditura nesër.
Ai vijoi se këtë të shtunë me shumë mundësi do të nisin fluturimet kryesisht drejt Romës.
Rama: Ju kërkoj të gjithë qytetarëve të mbetur në kufi ndjesë. Por dua t’i them turp të gjithë atyre që luajnë patriotash dhe demokratash me këtë hall të madh të njerëzve. Turp se të luash demokratash e patriotash të flasësh për bijtë e shqipes që u kanë prerë krahët nga diktatura e Tiranës apo për mohimin për të drejtën elementare për lëvizjen drejt shtëpisë kur ne i kemi marrë këto masa ekstreme për të qenë këtu ku jemi sot në raport me një armik të padukshëm që do të na kishte grirë nëse nuk do i merrnim. Do të thotë të nxisësh infektimin masiv të popullit që dhe falë disa emigrantëve shqiptarë që ndodhen në vend të huaj që vuajnë pamundësinë e kthimit në shtëpi, ne kemi arritur ta pengojmë. Në kuadër të lehtësirave me pikatore siç folëm dhe javën e kaluar, ne kemi gati dhe planin për rihapjen me shumë kujdes për rrugën e riatdhesimit. Nesër do të bëj publike modalitetet. Dhe sipas gjasave të shtunën e kësaj jave do të nisin fluturimet kryesisht drejt Romës. Kush dëshiron të riatdhesohet do të kalojë në kanal të drejtpërdrejtë me prenotim të avionit. Do ta prenotojë vetë, edhe shpenzimet e hotelit do të mendojë vetë. Detaje do të jepen nesër.