
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit në zonën turistike Shëngjin–Velipojë, ku theksoi rëndësinë e rritjes së cilësisë në shërbime dhe zhvillimit të infrastrukturës për të përmirësuar ndjeshëm ofertën turistike të kësaj zone me potencial të lartë.
“Të ardhurat do rriten në mënyrë të jashtëzakonshme, ashtu si dhe mundësia për të paguar më shumë stafet, sepse gjithçka lidhet me cilësinë,” u shpreh Rama, duke u bërë thirrje operatorëve turistikë të synojnë standardet më të larta evropiane.
Ai vuri në dukje nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dhe përmendi disa projekte në proces, si aksi Milot–Balldren, Milot–Muriqan, si dhe ndërtimin e Bypass-it të Shëngjinit. Rama foli edhe për rëndësinë e përmirësimit të lidhjes së Tales me bregdetin, përmes rrugëve të brendshme, dhe krijimin e një infrastrukture moderne hotelerie.
“Kemi bërë gabime në të shkuarën, por tani është koha për të kthyer këtë zonë në një nga destinacionet më të bukura të Europës,” theksoi Kryeministri.