Rama në Konferencën e Donatorëve: Shqipëria kontribuon me një mln euro…

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën para pak minutash në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkëorganizuar nga Kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki dhe Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se Shqipëria synon të kontribuojë në këtë konferencë me një million euro, pavarësisht se kjo gjë nuk do të ndryshojë faktin e luftës dhe të rindërtimit.

Kryeministri tha se Shqipëria do të bëjë më të mirën për të përmbushur detyrimin ndaj miqve ukrainas duke synuar fundin e luftës dhe fillimin e paqes.

Fjala e Ramës:

“Unë do të them shumë pak fjalë, duke e nisur nga pozita e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Në aspektin dypalësh kemi qenë nga më të parët që kemi dhënë kontributin për forcat e armatosura të Ukrainës. Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milion euro. E di që kjo nuk do të ndryshoje faktin e luftës dhe të rindërtimit por jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës kryeministrave të Polonisë dhe Suedisë që na bënë pjesë. Deri në fund do të bëjmë më të mirën për të përmbushur detyrimin tonë ndaj miqve tanë ukrainas dhe popullit duke synuar atë që të gjithë synojnë, që të kemi një fund të kësaj lufte dhe të shohim paqen që të vijë sa më shpejt të jetë e mundur.”

Shpërndaje