Rama mesazh policëve: Mos toleroni asnjë ndërtim pa leje, është kosto për të ardhmen

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama, në një takim ku janë prezantuar ndryshimet e reja ligjore për ashpërsimin e masave ndëshkimore për ndërtimet pa leje, ka kërkuar më shumë punë nga Policia e Shtetit. Në fjalën e tij, Rama tha se Policia e Shtetit duhet të trajtoje krimet kundër territorit me të njëjtin seriozitet si të gjitha krimet e tjera.

Kreu i qeverisë kërkoi që të mos tolerohet asnjë ndërtim pa leje, pasi siç tha ai ka shumë kosto për të gjithë nëse lejohen.

“Qëllimi kryesor është për të rritur sa më shumë vetëdijen dhe ndjenjën e përgjegjësisë për të gjithë punonjësit e policisë për detyrimet që ka shtetit nga vendit dhe qytetarëve.  Është e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë aktorët që kanë përgjegjësi, që çdo ndërtim pa leje rriti kostot e përbashkëta nesër, duke cenuar pronën publike apo private, duke cenuar planet e zhvillimit, buxhetin e shtetit, pasi kthehet në një çështje sociale apo financiare.

Nga ana tjetër kemi ndërtimet me leje që bëhen vatra abuzive, ku mbi lejen e dhënë ndërtohen volume të tjera që krijojnë kosto të mëdha. Që Policia e Shtetit ka kapacitetin të kontrollojë në çdo centimetër territorin dhe këtë e tregon një fakt i thjeshtë. Se kur vjen puna për një çati, për një avlli, në zona rurale të thella gjendet polici atje dhe i kërkon llogari një fshatari, po kur vjen puna për ndërtime në zona turistike, atëherë çuditërisht nuk gjendet i njëjti polic i zellshëm. Ju e kuptoni shumë mirë pse-në e këtij kontrasti. Por ajo që duhet të fokusohemi sot është që policia i ka të gjitha kapacitetet që të bëhet mburojë për çdo krim.

Çdo krim ndaj territorit duhet të jetë i barasvlershëm me çdo aspekt tjetër prioritar në luftën e saj, duke filluar që nga krimi i organizuar, korrupsioni etj. Kjo duhet përcjellë në të gjithë strukturën e policisë. Është e pamundur që të vijohet kështu, ku në komisariatet me veprimtarinë më të madhe ndërtimore, të mos marrë askush përgjegjësinë. Zonat turistike janë si dritare syve për Shqipërinë, janë baza për zhvillimin e së ardhmes“, u shpreh ndër të tjera Rama.

Shpërndaje