Rama: Masë administrative e penale për bizneset që nuk deklarojnë pagën reale…

Shpërndaje

Për të gjithë bizneset dhe sipërmarrjet që nuk deklarojnë pagën reale, do të merren masa të rënda administrative, dhe me gjasa edhe penale, deklaroi kryeministri Edi Rama në një takim me bizneset për skemën e sigurimeve shoqërore.

“Askush nga ne të mos shmanget detyrimeve që ka.

Ne kemi detyrimin si qeveri, që jeta e tyre të jetë sa më e qetë, që kushtet e jetesës të përmirësohen sa të jetë e mundur, dhe ata që krijojnë punë në këtë vend, të cilat janë sipërmarrjet dhe që paguajnë për punën, kanë detyrimin që çdo qindarkë të çdo pagese për çdo person që u takon pensionistëve, t’u shkojnë pensionistëve.

Ky është detyrim i çdokujt që merr një pagë. E ndërkohë që në sektorin publik ky detyrim është i përmbushur, sepse nuk varet nga sjellja e personit që paguhet, po shkon derdhet direkt në arkën e sigurimeve shoqërore. Nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat.

Për t’i rënë shkurt, kemi një problem të madh, pavarësisht përmirësimeve që janë bërë me deklarimin e pagës reale, një problem i madh që jemi të vendosur të mos presim përmirësimin gradual, por të kërkojmë një përmirësim të shpejtë.

Dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë nuk do jetë nevoja të vihen në presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë edhe penale për grabitjen e pensioneve. Është fjalë shumë e rëndë, turp shumë i madh, është shumë e padrejtë, e papranueshme dhe ne duhet të bëjmë atë që na takon”.

Masat e Tatimeve nuk duhet të jenë e vetmja armë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi me mos deklarimin e pagave reale, deklaroi ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja.

“Masat e tatimeve nuk mund të jenë e vetmja armë për të luftuar këtë armë dhe këtë problem të madh që kemi. Ka shumë rëndësi puna me ndërgjegjësimin, që të kuptojmë realisht se çfarë rëndësie kanë këto sjellje, këto veprime dhe aktorët nga të cilat kryhen.

Duhet të kemi një angazhim më të madh për të bërë ndërgjegjësim shumë të madh sa u takon këtyre fenomeneve”./monitor/

Shpërndaje