Rama: Fatura e dëmeve nga tërmeti ka arritur në 1 miliard euro

Shpërndaje

Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë një takimi me Luigi Di Maio, Ministër i Punëve të Jashtme të Italisë, ka dhënë një shifër tepër të lartë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama i ka thënë ministrit italian se raporti i plotë i dëmeve do të jetë gati për disa ditë por deri tani fatura është llogaritur të jetë rreth 1 miliardë euro, sipas videos të publikuar nga ERTV.

Në takim është folur për organizimin e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel, për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit, ku qeveria shpreson që të mbledhë fonde për rindërtimin.

Di Maio ka pohuar se ka besim tek Konferenca e Donatorëve e organizuar nga BE se do të gjendet një zgjidhje aty.

Dëmi sa 10% e ekonomisë

Kjo shifër e dhënë nga kryeministri është shumë më e lartë sesa vlerësimi fillestar në rreth 600-700 milionë euro dhe përbën gati 10% të prodhimit të Brendshëm Bruto (vlerës së mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhohen nga ekonomia në një vit).

Shifra është e barabartë me rreth një të katërtën e buxhetit vjetor të shtetit, ndërsa gjithë shpenzimet kapitale janë rreth 700 milionë euro.

Duke pasur parasysh madhësinë e ekonomisë, me forcat e veta, vendi e ka të pamundur që të sigurojë një shumë të tillë.

Deri tani nga buxheti i shtetit janë alokuar për rindërtimin rreth 200 milionë euro, ndërsa shpresa është tek donatorët.

Shpërndaje