Kryeministri Edi Rama deklaroi se, qeveria do të japë bonus prej 50 mijë lekësh në fillim të muajit dhjetor për çdo pensionist.
Duke folur për pensionet, Rama u shpreh se, “atyre që janë pensionistë pa fëmijë, që janë kryefamiljarë qeveria, jo vetëm atyre, por edhe atyre që janë me ndihmë ekonomike iu bën një tjetër kompensim të faturës së energjisë”.
Ne, u shpreh Rama, “faktikisht japim çdo vit, prej vitesh nga buxheti i shtetit 16 milionë euro vetëm për të kompensuar pensionistët kryefamiljarë apo familjet në ndihmë ekonomike tek fatura e energjisë”.
Natyrisht, shtoi Rama, “edhe kjo, plus edhe rritja masive e listës së ilaçeve të rimbursueshme plotësisht nga shteti nuk zgjidhin pozitivisht përgjigjen e pyetjes. Por nga ana tjetër, nuk ka asnjë shkop magjik dhe nuk ka asnjë mundësi për të bërë kapërcime të një natyre që do të mund t’i jepnim përgjigje pozitive kësaj pyetjeje. Sepse nëse do t’i bënim ato kapërcime atëherë do të falimentonim plotësisht menjëherë shtetin”.
“Ne kemi gjetur një skemë pensionesh që ishte në prag të falimentit dhe sot ai pensionisti është 80 vjeç, por sot që kur ne kemi bërë reformën e pensioneve, pensionistët e rinj, ata që dalin në pension pas reformës nuk i kanë pensionet 18 mijë lekë, i kanë pensionet më të larta sepse i kanë të bazuara tek kontributet. Ky është fakti”, theksoi Rama.
“Kemi indeksuar 2 herë pensionet këtë vit. Pra mesatarisht e kemi rritur me 10% për të kompensuar pikërisht goditjen nga inflacioni. Pavarësisht gjithë vështirësisë financiar kemi lënë bonusin prej 50 mijë lekësh që do t’ia japim në fillim të muajit dhjetor këtë herë dhe jo në fund, çdo pensionisti. Kemi vendosur prapë një shumë në buxhet për vitin e ardhshëm për të vazhduar ta rrisim pensionin, por ne nuk kemi mundësi ta bëjmë pensionin të atillë që pensionistët që kanë dhe fëmijë të jenë tërësisht të pavarur nga fëmijët dhe të mos kenë asnjë problem. Kjo është e parealizueshme në këtë fazë”, nënvizoi Rama.