Qeveria ka përgatitur sistemin online i cili i jep mundësinë e rezervimit të gjithë qytetarëve shqiptarë në të gjithë globin që të riatdhesohen.
Në një komunikim për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se në pagesën e akomodimit në hotele për karantimin 14 ditor do ta paguajë qeveria, ndërsa qytetarët do të paguajnë në total 98 Euro, ose 7 euro në ditë vetëm për ushqimin.
Ajo sqaroi se edhe bileta e avionit është me çmim të arsyeshëm.
“Çmimi i biletës së avionit varion sipas numrit të miljeve të fluturimit dhe aeroportit ku ‘Air Albania’ do të ulet, por ju sigurojmë se ‘Air Albania’ do të aplikojë çmime minimale thjesht për të mbuluar një pjesë të kostove të këtyre fluturimeve. Bileta nga Roma në Tiranë kushton 100 Euro”.
‘Air Albania’ nis fluturimet të shtunën drejt Romës, ndërsa riatdhesime do të bëhen edhe nga Milano, Bari, Frankfurti, Parisi dhe Londra.
“Destinacionet që sapo njoftova, janë pika kyçe që ju japin mundësi dhe qytetarëve të tjerë, që ndodhen në Europë, Amerikë, Kanada e gjetke për t’i aksesuar”.
Në faqen e internetit airalbania.com.al është ndërtuar një rubrikë riatdhesime, aty duhet të zgjidhet hoteli i transformuar në karantinë Covid-19 dhe zgjidhet dhoma e qëndrimit. Pasi kryehet pagesa, më pas duhet të bëhet rezervimi i biletës.
Kushtet e kthimit në Shqipëri dhe të qëndrimit në hotele do të jenë brenda të gjitha masave të sigurisë me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.