QSUT hap garën për blerjen e 10 mijë litrave oksigjen për të sëmurët e shtruar në spitalin Covid-4

Shpërndaje

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë hap garën për blerjen e oksigjenit dhe për mirëmbajtjen e impianteve të ajrit në spitalin Covid-4 më vlerë 1,2 milionë lekë.

Struktura e spitalit Covid 4 është ngritur në ambientet e ish universitetit privat Kristal në aksin Tiranë-Durrës. Në këtë spital me një kapacitet prej 108 shtretër shtrohen pacientët e përmirësuar pas trajtimit mjekësor që marrin në fazën e parë te spitali Covid-3.

Sipas dokumenteve të tenderit parashikohet që në këtë spital të instalohet tanker (ccisternë) oksigjeni me kapacitet 10 mijë litra, 1 bombël ajri 300 litra dhe 200 litra, pompa vakumi, tharës, filtra etj. Në prokurim parashikohet që kompania kontraktuese duhet të kryejë edhe riparimin e prizave të oksigjenit (850 copë), priza vakumi (200 copë), priza ajri (150 copë) dhe rreth 500 fluksimetra e 100 vakumetra. Për sistemin e furnizimit me oksigjen parashikohet të kryhet kontrolli dhe shërbim i rampave të gatishmërisë, linjave, paneleve, reduktoreve të shkallës I+II, prizave dhe lagështuesëve të oksigjenit (O2) nga tankeri deri te shtrati i të sëmurit me Covid-19. Afati për dorëzimin e ofertave nga operatorët është 26 shkurti 2021.

Prokurimi do të kryhet me Marrëveshje Kuadër me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet jane të përcaktuara, me afat 1 vjeçar sipas nenit 47 të VKM nr. 914, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

“Objekti i  kësaj  procedure prokurimi  është i një rëndësie të veçantë, pasi lidhet direkt     me ofrimin e shërbimit mjekësor. Meqënëse edhe natyra e shërbimit, objekt i kësaj procedure,  është e përsëritur, lidhja e një marrëveshjeje kuadër do të siguronte AK për realizimin e shërbimit  pa ndërprerje dhe në kohë nga operatori ekonomik fitues. Një MK me disa OE (me mini konkurs) bëhet vetëm në rastet kur kushtet nuk janë të përcaktuara gjë e cila nuk rezulton të jetë në këtë rast”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Në Shqipëri funksionojnë 4 struktura spitalore kushtuar trajtimit të pacientëve të sëmurë me Covid-19: Covid-1 – Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT); Covid-2 – Spitali Shefqet Ndroqi, Sanatoriumi; Covid-3 – Ish-spitali i kirurgjisë në QSUT; Covid-4 – Ish-universiteti privat Kristal, përshtatur në karantinë dhe strukturë mbështetëse.

Në total 4 strukturat spitalore kanë një kapacitet prej 550 shtretër. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 547 pacientë, 23 në terapi intensive nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar (këto janë të dhënat e djeshme të Ministrisë të Shëndetësisë). Shtimi i rasteve ccdo ditë me Covid-19 tregon se shumë shpejt kapacitetet në këto spitale do të ezaurohen.

Ministria e Shëndetësisë parashikon që me hapjen e spitalit Covid-5 të shkohet në kapacitetin e 600 shtretërve të planifikuara në skenarin e parë të trajtimit mjekësor të sëmurëve me Covid-19.

Më herët Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se në terësi në 3 skenarët e parashikuar nga qeveria në dispozicion të sëmurëve me Covid-19 do të ketë 1,600 shtretër. Në skenarin e dytë mbi 600 shtretër do të vihen në funksion me hapjen e 5 spitaleve të para rajonale, si në Elbasan, Shkodër (me kapacitet 90 shtretër), Vlorë, Durrës dhe Korçë. Ndërsa në skenarin e tretë të strategjisë vjeshtë-dimër parashikohet shfrytëzimi i kapaciteteve edhe i 3 spitaleve rajonale, siç është ai në Gjirokastër, Kukës dhe Dibër.

Shpërndaje