Qeveria rrit pragun e TVSH-së në 10 milionë lekë, biznesi i vogël nuk e paguan deri në 2029

Shpërndaje

Qeveria e Shqipërisë ka marrë sot vendimin në Këshillin e Ministrave për të rritur pragun e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 2 milionë lekë në 10 milionë lekë.

Diçka e tillë ishte paralajmëruar nga ministrja e financave Anila Denaj e cila theksoi se deri në 2029, pra për 10 vite biznesi i vogël me fitime nën 10 milionë lekë në vit nuk paguan TVSH.

Ky vendim hyn në fuqi prej 1 janarit të 2021 dhe është i vlefshëm për 10 vite.

VENDIMI NGA QEVERIA

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Neni 10/1 shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:

Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.”.

Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.

Neni 3

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1.1.2021.

(BalkanWeb)

Shpërndaje