Qeveria “Rama” i jep aeroportin për 13 vjet shtesë Kastratit pa tender…

Shpërndaje

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka negociuar dhe arritur një marrëveshje sekrete për ndryshimin e kontratës së koncesionit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, duke e zgjatur kohëzgjatjen e saj nga 22 vjet në 35 vjet.

Këshilli i Ministrave ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për miratimin e ndryshimeve të kësaj kontrate. Amendimet e kontratës nuk janë publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, por relacioni shoqërues shpjegon se në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit me 13 vjet, koncesionari premton të realizojë disa investime – përfshirë zgjatjen e pistës së aeroportit, një detyrim që e kishte që më parë, por që nuk e ka zbatuar. Sipas relacionit, koncesionari merr përsipër të investojë 99.3 milionë euro.

I pyetur nga BIRN nëpërmjet këshilltarit për median, Endri Fuga – Këshilli i Ministrave nuk dha sqarime deri në publikimin e këtij shkrimi se pse kontrata e koncesionit po zgjatet pa garë dhe me ligj të veçantë në parlament.

Koncesioni i aeroportit të Rinasit u dha nga qeveria e kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004 me një afat 20 vjeçar. Kohëzgjatjes së kontratës iu shtuan dy vjet në vitin 2016, në shkëmbin të heqjes dorë nga koncesionari nga klauzola e ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare.

Kompania e koncesionit u shit disa herë, pasi realizoi fitime të majme gjatë dekadës së fundit duke mbajtur tarifa të larta dhe duke mos i realizuar të gjithë investimet e dakordësuara.

“Është konstatuar një disbalancë ekonomike,” shkruan Këshilli i Ministrave në relacionin e projektligjit për ndryshimin e koncesionit të aeroportit, duke iu referuar një raporti auditi të realizuar nga ‘BDO Consulting.’

“Kjo disbalancë ka ardhur si rezultat i një mospërputhjeje mes skenarit bazë të parashikuar dhe gjendjes faktike të veprimtarisë ekonomike të TIA-s, mbi bazë të të cilës aktiviteti ekonomik i kësaj të fundit, që prej fillimit të periudhës koncesionare deri ne 31 dhjetor 2017, ka qenë më i lartë se ai i parashikuar e, për rrjedhojë, qarkullueshmëria monetare ka qenë më e lartë,” shton qeveria.

BDO Consulting në raportin e auditit parashikonte që kjo ‘disbalancë ekonomike’ të eliminohej nga  koncesionari në vitet e mbetura të koncesionit. Për shkak të pandemisë së COVID-19, qeveria e kryeministrit Edi Rama është treguar bujare, duke i dhuruar koncesionarit mundësinë që ta shfrytëzojë asetin më të madh publik në fushën e transportit në Shqipëri edhe për 13 vjet të tjera.

Qeveria është mbështetur gjithashtu në vendimin e saj në rekomandimet e konsulentit të punësuar nga kompania koncesionare, Mazars.

“Meqënëse raporti është hartuar për një periudhë mbi tri vite përpara dhe është konsideruar pjesërisht i pranueshëm, sepse pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht në aktivitetin e TIA-s, duke hedhur poshtë të gjitha progresionet pozitive të parashikuara nga BDO-ja për vitin 2020 e në vijim, palët kanë vendosur të përziejnë disa prej skenarëve të këtij raporti në miratimin e investimeve nga shoqëria koncesionare,” shkruan relacioni i projektligjit.

“Nga koncesionari u paraqit edhe një raport i studios ndërkombëtare Mazars, që mbështeti projektin e paraqitur nga koncesionari,” shtoi relacioni.

Sipas të dhënave financiare të publikuar në databazën e koncesioneve të BIRN, nga viti 2009 deri në vitin 2019, kompania koncesionare Tirana International Airport sh.p.k realizoi 55.6 miliardë lekë (400 milionë euro) të ardhura dhe 17 miliardë lekë fitime (131 milionë euro), për një normë fitimi mbi të ardhurat mbi 33 %, ndërkohë që kapitali i nënshkruar i kompanisë është 1.2 miliardë lekë (9 milionë euro).

Relacioni i qeverisë që shoqëron projektligjin e publikuar nuk sqaron nëse qeveria ka bërë apo jo një vlerësim të kostove dhe përfitimeve nga zgjatja e kontratës së koncesionit, ndërsa nuk shpjegon gjithashtu se për çfarë arsyeje kjo zgjatje po bëhet pa garë, në një kohë që kontrata aktuale skadon në vitin 2027 dhe normalisht qeveria mund të hapte një tender të ri.

Një ditë para publikimit të projektligjit në faqen e Kuvendit, zgjatja e kontratës së koncesionit u njoftua nga vetë kompania koncesionare, Tirana International Airport./reporter.al/

Shpërndaje