Qeveria ka miratuar dhënien e shpërblimit prej 55 mijë lekësh të rinj për personelin që shërben në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike.
Në vendimin e miratuar sot në mbledhjen e qeverisë thuhet se këtë shumë e përfitojnë ato institucione që janë nën administrimin e Shërbimit Social Shtetëror dhe të bashkive, të angazhuar në shërbimin ndaj përfituesve të sistemuar në këto institucione deri në përfundim të epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19.
Vendimi i plotë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e një shpërblimi në masën 55 000 (pesëdhjetë e pesë mijë) lekë, për personelin që shërben në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, që janë në përgjegjësi administrimi të Shërbimit Social Shtetëror dhe të bashkive, të angazhuar në shërbimin ndaj përfituesve të sistemuar në këto institucione deri në përfundim të epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19.
Shpërblimin e përfiton personeli që shërben në institucionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe që është caktuar nga drejtuesi i institucionit për të punuar përtej kushteve normale të punës, me qëllim parandalimin e infektimit nga COVID-19 të përfituesve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, sipas një grafiku të dakordësuar ndërmjet tyre.
Lista emërore e personelit, përfshirë ditët e angazhimit, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, miratohet çdo muaj me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror.
Fondi për shpërblimin e personelit të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shërbimi Social Shtetëror dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.