Qeveria do të mbledhë me “forcë” garancitë e lëshuara ndaj OSHEE, KESH dhe ndërmarrjeve të ujësjellësve

Shpërndaje

Qeveria nxori për konsultim ndryshimet që priten të bëhen në ligjin e borxhit publik.

Në themel të ndryshimeve qëndrojnë shtrëngimi i mjeteve dhe masave për arkëtimin e garancive dhe nënhuave të lëshuara ndaj kompanive publike, kryesisht KESH, OSHHE dhe ndërmarrjeve të ujësjellësve.

Kompetencat për mbledhjen e borxhit të garantuar dhe nënhuave do t’i marrë Agjencia për Trajtimin e Kredive një ent që u ngrit shumë vite më parë për mbledhjen e kredive të këqija që ishin krijuar kur bankat ishin në pronësi të shtetit.

Vlera totale e borxhit të garantuar arriti 47 miliardë lekë në fund të tremujorit të tretë 2020, duke zënë 3.7 për qind të totalit të borxhit publik.

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se borxhi jashtëm të garantuar u rrit me 8.8 miliard lekë për vitin 2020, ndërsa qeveria nga buxheti i shtetit ka paguar 2.7 miliard lekë për garancitë e huaja përfituesit e të cilëve kanë dështuar të përmbushin detyrimet e tyre.

Shuma e kthyer nga përfituesit e garancive në Buxhetin e Shtetit, për këto garanci të paguara është vetëm 81 milion lekë duke vazhduar tendencën e akumulimit të detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit. Në lidhje me të drejtat për të arkëtuar nga marrëdhëniet e nënhuasë, janë konstatuar krijim i detyrimeve të reja në shumën 7.75 miliard lekë (rreth 62.6 milion euro) të subjekteve nënhuamarrësve në kuadër të marrëveshjeve të nënhuasë, si pasojë e mos shlyerjes së detyrimeve kontraktuale duke në përkeqësimin e performancës së stokut të kredive .

Sektorët me përkeqësim të situatës financiare paraqiten sektori i energjetikes kryesisht me nënhuatë e KESH, OSHEE dhe OST me rreth 5.79 miliard lekë të rritjes totale të detyrimeve nga 7.75 miliard lekë gjithsej, pushteti vendor me rreth 1.17 miliard lekë dhe sektori i ujësjellësve me rreth 768 milion lekë.

Sipas nenit 306 të ligjit për huamarrjen është përgjegjësi ligjore e huamarrësve, të cilët kanë marrë fonde, që ti kthejnë fondet e marra hua në përputhje me marrëveshjet e nënhuave dhe të paraqesin raporte për gjendjen e huasë dhe përdorimin e saj, sipas kërkesave të përcaktuara nga Ministria e Financave”.

Gjendja e detyrimeve në lidhje me garancitë shtetërore që subjektet përfituese kanë ndaj shtetit shkoi në 15.8 miliardë lekë me 2020.

Në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 për mbështetjen e shoqërive tregtare për pagesën e pagave dhe rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar, u miratua emetimi i dy garancive shtetërore përkatësisht në shumën 11 dhe 15 miliard lekë. Nga auditimi konstatohet se deri në fund të vitit 2020 janë përdorur gjithsej 14.9 miliard lekë.

Sipas ndryshimeve ligjore të propozuara ATK, në emër të Ministrisë së Financave do të ndërmarrë të gjitha masat e paracaktuara në këtë ligj, në ligje të tjera në fuqi dhe në marrëveshjet e mirëkuptimit, për rikuperimin e garancisë të përftuar nga huamarrësi çdo pagesë të bërë sipas garancisë, duke përfshirë edhe kostot që lidhen me të, referuar të gjitha garancive shtetërore të lëshuara sipas objektit të këtij ligji, dhe garancive të tjera të lëshuara para hyrjes në fuqi të tij.

Ndryshimi në ligj synon të rregullojë edhe rikuperimin e të drejtave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në kuadër të marrëveshjeve të nënhuasë, ku serish funksioni i rikuperimit të këtyre të drejtave do ti kalohet ATK.

ATK do të mbajë dhe administrojë të dhënat dhe dokumentacionin që lidhen me skemat e veçanta të garancisë, pa cenuar detyrimin e MFE për administrimin e të dhënave të borxhit dhe garancive shtetërore.

ATK do të raportojë rregullisht pranë MFE të dhënat e regjistrit për garancitë që do të menaxhojnë, si dhe do të dokumentojë përfundimin e garancisë referuar skemave të veçanta të garancive. /B.Hoxha/Monitor/

Shpërndaje