Përpunimi i kontejnerëve në kalatën numër 6 të portit të Durrësit do të jepet me koncesion. Pas prishjes së kontratës me koncesionarin e mëparshëm Autoriteti i Portual Durrës ka hapur një tender të ri, ku sipas dokumenteve do të paguajë kompaninë fituese rreth 30 milion euro në 5 vjet për përpunimin e kontejnerëve.
Procedura e tenderit është e kufizuar, duke e ngushtuar ndjeshëm pjesëmarrjen në garë. Afati i dorëzimit të dokumenteve është vetëm 22 ditë, ndërsa kriter kryesor në përzgjedhjen e fituesit do të jetë oferta më e ulët, pra do fitojë ajo kompani që do të kërkojë më pak para për të kryer këtë shërbim.
Në kontratën e mëparshme koncesionari paguante 2% të xhiros vjetore si tarifë ndaj Autoritetit Portual Durrës, ndërsa në koncesionin e shpallur dihet vetëm që porti i Durrësit do të paguajë rreth 30 milion euro për 5 vite për koncesionarin dhe nuk përcaktohet se sa te ardhura do të futen në arkën e shtetit nga ky shërbim.
Koncesionarit madje i është garantuar edhe një inventar i madh me mjete përpunuese, si vinça, pirunj kontejnerësh apo makineri të rënda të tjera, disa prej të cilave edhe prodhim i viteve të fundit.
Në dokumentet e tenderit nuk thuhet se sa janë të ardhurat e pritshme të Autoritetit Portual Durrës nga dhënia e këtij shërbimi me koncesion, ndërkohë që nga ana tjetër pagesa e 30 milion eurove nuk është e kushtëzuar nga mos realizimi i planit të përpunimit të kontejnerëve.
Terminali i kontejnerëve përfshin kalatën 6, me një gjatësi prej 300 metrash linear dhe një sipërfaqe depozitimi 65 mijë m2. Kapaciteti depozitues i Terminalit të kontejnerëve është 3 mijë njësi, ndërsa ne për gjithë vitin përpunohen rreth 150 mijë kontejnerë.