Prej disa vitesh Tirana është kthyer në vatrën e shfrytëzimit të të rejave për prostitucion. Një prej praktikave të paligjshme për zhvillimin e prostitucionit është kthimi i qendrave të masazheve në vatër të këtij aktiviteti të paligjshëm. Referuar të dhënave pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, numri i qendrave të masazheve ka pësuar rritje së fundmi, por me sa duket, roli i tyre parësor nuk është kënaqësi masazhi, por një lloj tjetër kënaqësie.
I tillë është edhe rasti i “Paula SPA”, një qendër masazhi që ishte kthyer krejtësisht në një vatër të shfrytëzimit të vajzave të reja për prostitucion në afërsi të Komunës së Parisit. Administratorja e kësaj qendre, Paula, kishte mundur që kohë pas kohe të rekrutonte duke i mashtruar vajzat, fillimisht për të punuar si masazhatore, por më kalimin e kohës për shërbime seksi. Kjo grua pikaste kryesisht vajza që vinin nga vende malore të Shqipërisë, jo vetëm jug por edhe në veri. I tillë është edhe rasti i Eldës, që në këtë rast nuk është emri i saj i vërtetë pasi redaksia jonë ka vendosur të ruaj anonimatin. Ajo ka ardhur nga Kukësi në Tiranë dhe ka nisur punë në këtë qendër pa ditur se çfarë do të ndodhte më vonë. Nga burime policore Realiteti Post ka mësuar se Elda fillimisht ishte mashtruar se do të kryente vetëm masazhe, por me kalimin e kohës është kërcënuar nga Paula për të dhënë të tjera shërbime seksuale. Të njëjtën gjë më përpara ajo e ka bërë edhe me vajza të tjera që kanë punuar në këtë qendër masazhesh të kthyer në një vatër të seksit.
Por, një ditë më parë policia ka mundur të ndërhyjë në këtë qendër masazhi dhe të bastis vendin, pas një telefonate anonime që ka denoncuar rastin. Brenda saj u gjetën disa vajza të tjera, por administratorja Paula jo, e cila është shpallur tashmë në kërkim. Në dëshmitë që vajzat kanë dhënë para hetuesve, ato nuk kanë pranuar se janë shfrytëzuar për prostitucion dhe si pasojë janë lënë të lira. Burime nga blutë bëjnë me dije se dëshmia e tyre është marrë me rezerva pasi me shumë mundësi kanë frikë të rrëfejnë të vërtetën. Gjithsesi, të njëjtat burime saktësojnë se hetimet për rastin do të vijojnë.
Ky nuk është rasti i vetëm që në Tiranë një qendër masazhi kthehet në vatër prostitucioni. Përgjatë pandemisë, në mënyrë të fshehtë aktiviteti i tyre ka vijuar pa u vënë re nga autoritetet. Zonat me përqendrimin më të lartë të qendrave të masazheve janë në Komuna e Parisit, ish-Blloku, rruga “Sami Frashëri” e më gjerë.