Nismë e veçantë në Shkodër. Drejtori sportiv i akademisë Vllaznia, Alban Hasani, ka bërë një thirrje përmes “Panorama Sport”, që drejtuesit e klubit shkodranë, trajnerët dhe lojtarët e ekipit të parë të lënë 30% të pagave të tyre për të ndihmuar punëtorët e terreneve sportive në Shkodër, qoftë ata në stadiumin “Loro Boriçi”, ashtu edhe ata në fushën sportive “Reshit Rusi”. Në intervistën për gazetën, Hasani i ka bërë thirrje qeverisë që në këto ditë të vështira të jetë më afër sportit. Gjithashtu, ai theksoi se kampionati duhet të vazhdojë, pasi futbolli është si rreze shprese dhe motivimi në aspektin social.
Alban, po diskutohet rinisja e kampionatit më 20 ose 24 maj. Mendoni se në kushtet ku jemi mund të rikthehet futbolli?
Mendoj se në këtë kohë që po ndodhet e gjithë bota, futbolli dhe çdo sport tjetër po kalon ditë shumë të vështira. Kemi kaluar tranzicionin e viteve ‘90, po ashtu edhe vitin e tmerrshëm 1997. Mirëpo, mendoj se kjo kohë është shumë më e keqe në të gjitha aspektet. Ne si njerëz që punën e përditshme e kemi të lidhur me sportin, urojmë që të fillojmë sa më shpejt. Futbolli është një rreze shprese dhe motivimi, si në aspektin social e sidomos psikologjik të njerëzve. Prandaj, duhet që edhe sporti të hapet sa më shpejt. Unë shpresoj që të ndodhë një gjë e tillë, sepse do t’i japë frymëmarrje tjetër gjithë shoqërisë.
UEFA ka kërkuar që aktivitetet të mbyllen në fushë, edhe pse tashmë duket se çdo gjë është në dorë të vendimit të qeverisë…
Kjo është zgjidhja më e mirë. Futbolli është bërë për të luajtur në fushën e blertë, jo në tavolinë. Këtu i humbet kuptimi futbollit. Jam i bindur se asnjë ekipi nuk i pëlqen të dalë kampion pa luajtur. Nuk ka asnjë lloj shije për lojtarin, e po ashtu për tifozët. Në Shqipëri duhet të luhet medoemos, sepse janë ekipet të gjitha në garë për një vend, sidomos për Kupat e Europës. Besoj do të zhvillohet një garë e bukur deri në fund. Të gjitha ekipet kanë ambiciet e tyre dhe e kanë një arsye madhore për të luajtur.
Mund të presim që Vllaznia të ketë synime në Kupë dhe që të mos e mbyllë sezonin në atë pozicion ku ndodhet aktualisht pas 26 javëve kampionat?
Vllaznia i ka të gjitha shanset për të qenë një nga klubet që do të pretendojë Europën. Pra, edhe përmes kampionatit, edhe përmes Kupës. Të gjitha ekipet janë afër me njëra-tjetrin dhe jam i bindur se do të luftojnë për një vend. Në fund të fundit, Vllaznia është ndërtuar për Europë që në fillim të sezonit. Këtë e kanë thënë vetë drejtuesit. Nëse vendoset zyrtarisht të luhet, ekipet i pret një kalendar i ngjeshur.
Sa e vështirë do të jetë kur po shkojmë drejt dy muajve pa stërvitje?
Ky vit është i pazakontë për çdo eveniment të jetës, sepse ka ndryshuar mënyra e të jetuarit. Duhet të shohim jetën në këndvështrimin që jemi të gjithë të barabartë. Këtu hyn edhe sporti, që duhet mbyllur këtë vit me shumë sakrifica. Nuk është e lehtë normalisht, por jo e papërballueshme, sepse çdo ekip ka 25 lojtarë profesionistë. Me një rrotacion mund t’ia dalësh mbanë.
Të kalojmë pak te kriza financiare e klubeve. Qeveria nuk e mbështeti futbollin në këtë situatë, ndërsa FSHF shpërndau një shpërblim për lojtarët dhe trajnerët…
Çdo shtet në botë besoj se e ka ndihmuar sportin, sidomos futbollin. Besoj se është gabimi më i madh të mos ndihmohen sportistët. Edhe ata janë të gjithë familjarë dhe njerëz që kanë vetëm këtë profesion në jetën e tyre. E dinë mirë pushtetarët se çfarë force ka futbolli. Çfarë kanë përjetuar në Europian e dinë të gjithë, duke dalë për t’i pritur në aeroport dhe dhënë pasaporta diplomatike apo medalje. Të mos harrojmë se një popull njihet në botë nga sportistët dhe artistët, por kurrë nga politikanët. Tani kemi nevojë ne për ata, sepse janë vetë politikanët që kërkojnë vende në tribunat VIP për të ndjekur këta njerëz informalë, siç dhe po i etiketojnë tashmë.
Pak ditë më parë keni sugjeruar që 20% e rrogave të lojtarëve, stafit dhe drejtuesve në klubin Vllaznia të kalojë për punëtorët e stadiumit…
Unë kam qenë dakord që në fillim të bëjmë një mbledhje dhe të pranojmë që jo 20%, por 30% të na mbahet nga rrogat tona, duke filluar me ne si drejtues, trajnerët dhe lojtarët e ekipit të parë. Pra, me kushtin që këta lekë t’u kalojnë punëtorëve të klubit. Ata janë shtresa më e varfër jona. Njerëz që janë në shtëpi me qira, të sëmurë, por mbi të gjitha me zemër të madhe. Këta janë punëtorët e klubit Vllaznia. Besoj se kaq sakrificë nuk na varfëron. Jemi Vllaznia, familja më e madhe në Shqipëri dhe na ka hije kjo nismë për këta njerëz të mrekullueshëm.
Megjithatë, klubi vazhdon të jetë i bllokuar prej përplasjeve në bashki. Sa ndihet tashmë ky ngërç nga ana financiare?
Të them të drejtën, të gjithë e ndiejnë, si stafet, trajnerët, lojtarët, por ata që e ndiejnë më shumë janë punëtorët e fushave. Flitet për trajnerë dhe lojtarë të ekipit të parë apo edhe për ne, por duhet folur shumë më shumë për ata që merren me terrenet. Pagat janë minimale dhe ato nuk po merren në këtë periudhë, që është vërtet për të ardhur keq. Për ta duhet ngritur zëri nga të gjithë dhe me shumë forcë në Këshillin Bashkiak apo aty ku kanë mbetur fondet e klubit. Nuk mund të përballohet duke marrë pagën e shkurtit në qershor apo korrik.