Pukë, Shkodër
Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 12 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.
Gjithashtu vihet në pranga edhe autori i dyshuar i kultivimit të disa bimëve narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike në banesë, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, kanë organizuar punën për verifikimin e informacionit duke ushtruar kontroll të befasishëm në banesën e vjetër të shtetasit H.M., në fshatin Pletë, Pukë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 12 kg lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. M., 53 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Kontrolli ka vijuar edhe në ambientet përreth banesës së shtetasit N.C., 64 vjeç, ku gjatë kontrollit janë evidentuar të kultivuara disa bimë narkotike. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, për veprime të mëtejshme.