PS me strategji të re për 14 majin, Gjiknuri: Jo më fushatë me tubime masive…

Shpërndaje

Fushata zgjedhore për 14 majin për Partinë Socialiste do të jetë me strategji të re. Për PS nuk do të ketë më tubime e aktivitete masive të njerëzve për të bërë fushatë, kjo pasi sipas saj, ka ardhur koha që në vend të sillet një ndryshim.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha se kjo strategji e re për PS bëhet për t’i dhënë shqiptarëve “mesazhin e zhvillimit dhe progresit”, dhe jo atë të “revolucionit” që kërkon të sjellë opozita.

“Nuk do të bëjmë aktivitete masive. Nuk duam të bërtasim. Kemi menduar një strategji tjetër që shumë shpejt do të bëhet publike. Do të ketë aktivitete më të lehta dhe takime më të vogla. Duam të japim mesazhin e simbolit të zhvillimit dhe progresit. E shikojmë Shqipërinë si një vend stabël, pala tjetër e sheh zi. Ne mbledhim një pemë ata le të çirren.

Rublat ruse janë zhytur ata. Strategjia jonë është e ndërtimit të së ardhmes dhe shumë zhvillimeve pozitive. Pala tjetër nuk ka strategji por slogan revolucion që nuk përkon me situatën ku ndodhet vendi jonë”, tha Gjiknuri.

Tubimet jo masive për PS u zhvilluan edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2021, por kjo ishte e kushtëzuar për shkak të pandemisë. Në zgjedhjet e 14 majit duket se PS kërkon të sjellë një tjetër mënyrë për të bërë fushatë, atë të takimeve të vogla dhe pa shpenzime të mëdha.

Lidhur me sloganin që do të përdoret në zgjedhjet e 14 majit, Gjiknuri tha se “ PS ende nuk e ka bërë por patjetër do i mëshojmë progresit të Shqipërisë”.

Ky ndryshim strategjie për Partinë Socialiste vjen vetëm një javë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Gjatë ditës së sotme (7 prill) kryeministri, njëherësh kryesocialisti, Edi Rama mblodhi kryesinë ku u diskutua mbi strategjitë që do të ndiqen për 14 majin.

Partia Socialiste ka nxjerrë kandidatë për 61 bashkitë në vend, ku për 44 prej tyre vendosi t’u besojë një tjetër mandat kryetarëve aktualë.

Shpërndaje