Pronat shtetërore, caktohet çmim dysheme – Për ndërtesat, 0.3% e çmimit të banesave. Për trojet deri 8 lekë metër/katror, në Tiranë 121 lekë metër/katror

Shpërndaje

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar çmimet dysheme për pronat shtetërore që do të jepen me qira. Përmes një vendimi që mban datën 2 gusht, janë miratuar disa ndryshime në rregulloren “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve.

Për ndërtesat, të cilat quhen të tilla sipas përcaktimeve në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, në fushën e planifikimit të territorit, tarifa dysheme e qirasë mujore për metër katror do të bëhet 0.3% e vlerës mesatare të shitblerjes së banesave, e përcaktuar në udhëzimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar I Banesave, në fuqi në momentin e dhënies me qira apo enfiteozë të pasurisë shtetërore.

Tarifë dysheme do të aplikohet edhe në rastet e trojeve shtetërore që jepen me qira.  Bashkangjitur vendimit, Këshilli I Ministrave ka publikuar edhe tabelën me vlerën minimale sipas qarqeve. Në bashkinë Tiranë, tarifa dysheme do të jetë 121 lekë për metër katrorë, ndërsa në Qarkun Tiranë 97 lekë për metër katror. Në bashkinë Durrës tarifa do të jetë 42 lekë për metër katror, ndërsa në Elbasan tarifa dysheme do të jetë 40 lekë për metër katror. Qarku me qiratë më të lira është ai I Dibrës, ku një metër katror truall shtetëror mund të merret me qira për 8 lekë. /SCAN/

Shpërndaje