Prokurorja e Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Pranvera Gruda u përball të martën më 21 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore ajo dha shpjegime më së shumti për përfitimin e një banese, çmimi shitjes së të cilës është deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti në Tiranë.
Ndërkohë, nuk u evidentuan probleme për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokuroren Gruda po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Hamitaj sqaroi se subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingun e magjistratëve ka ushtruar detyrën e ndihmëses ligjore në Prokurorinë e Përgjithshme. Para kësaj detyre, në periudhën 2010-2011 ajo ka qenë inspektore pranë Ministrisë së Drejtësië dhe më parë prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër.
Sipas relatorit, Gruda ka kërkuar që t’i nënshtrohet procesit të rivlerësimit edhe në cilësinë e ish-prokurores, por për shkak se në momentin e hyrjes së ligjit në fuqi ajo konsiderohej si subjekt rivlerësimi edhe për shkak të detyrës së ndihmëses ligjore, është vijuar me hetimin administrativ për pozicionin që mbante.
Si burime krijimi për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 82.9 m2 në vitin 2003 Tiranë kundrejt çmimit 23 mijë e 500 euro, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti në Shkodër për vlerën 1 milionë lekë, 600 mijë lekë nga shitja e një automjeti, si dhe kursimet familjare.
Sipas një deklarate noteriale të vitit 1999, blerësi kishte likujduar shumën ndërkohë që do të kujdesej për procedurat e regjistrimit të apartamentit në emër të subjektit dhe bashkëshortit të saj dhe pasi kjo pasuri të kalonte në emrin e tyre, do të transferohej të pronësi të blerësit. Nga hetimi është konstatuar se subjekti ka kryer kallëzim penal për një kontratë shitje të apartamentit të vitit 2001, me pretendimin se ishte e falsifikuar.
KPK i ka kërkuar subjektit shpjegime për rrethanat e shitjes së kësaj pasurie.
Hamitaj sqaroi se Komisioni ka konsideruar me rezervë në analizën financiare paraprake të ardhurat nga shitja e apartamentit, ndërkohë që nga shitja e makinës është përfshirë shuma 500 mijë lekë, që është çmimi i blerjes së mjetit dhe jo 600 mijë lekë që janë përfituar nga shitja. Sipas relatorit, nuk është arritur të vërtetohen shpenzime për rritjen e vlerës së mjetit.
Duke përfshirë në analizë edhe mundësinë e kursimeve, nga analiza financiare për blerjen e apartamentit në Tiranë ka rezultuar bilanc negativ në shumën 240 mijë lekë.
Ndërsa nga analiza financiare e përgjithshme paraprake ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 53 mijë lekë.
Prokurorja Gruda paraqiti fillimisht një historik të përfitimit të apartamentit në Shkodër, çmimi shitjes së të cilit ka shërbyer si një prej burimve për blerjen e banesës në kryeqytte.
Ajo shpjegoi se kjo banesë nuk ishte përfituar nëpërmjet privatizimit, por si familje e pastrehë. Sipas Grudës, bashkëshorti është trashëgimtar i një pasurie të shtetëzuar para viteve ’90 dhe u është dhënë strehim. Por, me një vendim të formës së prerë të vitit 1994, gjykata ka vendosur lirimin e banesës në këmbim të trajtimit me strehim në bashki, prej nga dhe është përfituar statusi të pastrehut.
Sipas Grudës, nuk kishte qenë dëshira e tyre për të fituar këtë status, por ishte vendosur nga gjykata dhe për rrjedhojë kishin përfituar apartamentin në Shkodër.
Lidhur me shitjen e këtij apartamenti, prokurorja Gruda deklaroi se kishte qenë e detyruar që të transferonte familjen në Tiranë për arsye të kërcënimeve ndaj bashkëshortit, të kryera për shkak të detyrë së saj si prokurore në Apel. Ajo tha se kishte sjellë familjen në Tiranë dhe vetë kishte vijuar ushtrimin e detyrës në Shkodër.
Subjekti pohoi se blerësi kishte marrë përsipër ndjekjen e procedurave të regjistrimit të pronave dhe kur kjo të realizohej, do të nënshkruhej kontrata e shitjes. Sipas Grudës, ende nuk ka përfunduar procedura ligjore dhe pasuria ka mbetur me të njëjtin status. Ajo sqaroi se kishte bërë gjithë përpjekjet për të kontaktuar blerësin, por kishte mësuar nga fqinjët se ai jetonte prej vitesh jashtë shtetit, ndërsa apartamenti ka mbetur i pabanuar.
Guda u shpreh se balanca negative në vlerë të vogël për pagesën e këstit të fundit të apartamentit në Tiranë, vinte për shkak të moskonsiderimit të të ardhurave të bashkëshortit nga puna si kuzhinier dhe avokat para vitit ’99. Por, sipas saj, kishte arritur të provonte se bashkëshorti kishte punuar gjatë gjithë kohës.
Ajo kërkoi që në analizë të konsiderohej si e ardhur gjithë shuma 600 mijë lekë e përfituar nga shitja e mjetit, duke argumentuar se ky transaksion ishte pas një viti nga blerja e makinës dhe në Tiranë, ku çmimet ishin më të larta.
Në përfundim, prokurorja Gruda kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 24 nëntor, në orën 09:45.