Mësuesi i edukimit fizik në Tepelenë Kleanth Laçi është dhunuar nga disa persona.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Tepelenës kur arsimtari i shkollës 9-vjeçare të qytetit, është dhunuar nga persona ende të paidentifikuar në rrethana ende të pasqaruara. Familjarët e arsimtarit tepelenas, kanë njoftuar policinë dhe njëkohesisht e kanë shoqëruar në Spitalin e Gjirokastrës për ndërhyrje kirurgjikale.
Profesori i dhunuar ka dhënë një intervistë për mediat ku shpjegon si ndodhi ngjarja.
“Hipa pa i njohur, më pëlqyen se më thirri profesor njëri dhe më tha do të qeras një kafe. Hipa në makinë dhe me çojnë në një rrugë dytësore larg shtëpisë dhe aty më goditi me grusht. Ishin tre persona, shoferi dhe dy të tjerë. Nuk i mbaj mend targat por makina më duket se ishte një “Audi”. Nuk i njihja personat, ata më treguan që kanë konflikte me mua. Ata nuk më thanë asgjë, më goditën papritur, më thanë do të qeras me një kafe prandaj hipa në makinë. Nuk bëra asnjë bisedë me ta.
Pasi më goditën herën e parë dola nga makina dhe ika. Ishin në mosha të ndryshme, më dhunuan dhe nuk dhanë asnjë justifikim. Pastrova gjakun në një vend aty afër dhe mora një taksi që më çoi në shpi.
Ngjarja erdhi e papritur, nuk kam pasur asnjë konflikt. Personat nuk i kisha parë ndonjëherë, ishte hera e parë. Nuk po arrij të kuptoj pse ndodhi.”– ka thënë Kleanth Laçi.
Ndërkohë ai është dhunuar në mënyrë barbare ku në video shihet i fashuar në kokë dhe i nxirë në fytyrë.
Sipas informacioneve të para, arsimtari është thirrur nga tre persona të cilët kanë dashur të sqarojne një bisedë me të dhe me pas e kanë dhunuar në menyrë barbare. Plagët e marra në trup janë përqendruar kryesisht në kokë, fytyrë dhe pjesën abdominale.
Mësohet se gjëndja fizike e arsimtarit është jashtë rrezikut për jetën. Policia ndërkohe është vënë në kërkim të autorëve të dhunës ndaj mësuesit të edukimit fizik.