Fermerët kanë edhe 7 ditë afat për të aplikuar për të përfituar nga skema e naftës pa akcizë. Interesi në qarkun e Shkodrës është rritur për shkak të çmimit të naftës, por një pjesë penalizohen nga problemet me pronësinë e tokës.
Deri me 30 mars fermerët në të gjithë vendin mund të aplikojnë për tu bërë pjesë e skemës së naftës pa akcizë.
Në Shkodër, një pjesë e tyre që nuk kanë përfituar ndër vite megjithëse po aplikojnë, nuk e fshehin skepticizmin.
“Është shumë e nevojshme për ne se jemi me humbje. Ishalla, por e pabesueshme është.”
Vau i Dejës është një prej zonave ku në fshatrat e saj gjenden mbi 80 hektarë sera të mbjella kryesisht me perime.
Atje ndryshe nga Shkodra, nuk ka probleme me pronësinë e tokës, por në disa raste përdoruesit e saj, për shkak se tokat i kanë me qira dhe AMTP janë në emër të pronarëve që jetojnë jashtë vendit, penalizohen.
“Një vërtetim nga bashkia, një vërtetim toke se këto parcela janë të filanit dhe duhen konfirmuar me kryeplakun që i posedon ky”, tha Jak Pacani, përgjegjës i bujqësisë, Vau Dejës .
Numri i aplikuesve ndryshon dhe sivjet interesi ka qenë më i lartë për shkak edhe të çmimit të rritur të naftës.
“Në qarkun e Shkodrës kanë aplikuar 877 fermerë të cilët kanë përfituar nga skema e naftës. Ka fermerë që i kanë përfituar edhe 3000-4000 litra naftë”, tha Ylvi Shima, drejtor i agjencisë rajonale të ekstencionit bujqësor.
Mungesa e akteve të pronësisë mbetet shkaku kryesor i skualifikimit të shumë fermerëve të qarkut Shkodër gjatë fazave të shqyrtimit të dokumentacionit.
Prej vitesh kjo problematikë nuk ka marrë zgjidhje.