Prizren, përfundon faza e parë e restaurimit të Hamamit “Gazi Mehmed Pasha”…

Shpërndaje

Ka përfunduar faza e parë e restaurimit të Hamamit “Gazi Mehmed Pasha” në qytetin historik të Prizrenit.

Në ceremoninë inauguruese të fazës së parë të restaurimit, të mbajtur brenda Hamamit, morën pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, konsulli i përgjithshëm i Türkiyes në Prizren, Celal Doğan dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Ministri Çeku në fjalën e tij falënderoi ekspertët e Qendrës së Trashëgimisë Kulturore të Rajonit të Prizrenit të cilët kanë kryer punët restauruese.

Ai tha se motoja e punës dhe e ndërhyrjeve të trashëgimisë kulturore ka qenë mbrojtja, restaurimi dhe funksionalizimi, sepse, sipas tij, duke i funksionalizuar monumentet ato i kthehen në shërbim komunitetit.

“Ky monument, në momentin kur përfundon i gjithë procesi i restaurimit do të jetë në funksion të qytetarëve, në pritje të vizitorëve, turistëve dhe t’i shërbejë ekonomisë lokale të Prizrenit”, tha Çeku.

Ekspertët dhanë informacione rreth procesit të restaurimit, thanë se gjatë punimeve u zbuluan edhe disa struktura dhe artefakte të reja.

Në fazën e parë të punimeve restauruese, të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, është punuar në seksionin e meshkujve të hamamit.

Së shpejti do të nisë faza e dytë dhe e fundit e punimeve restauruese, e cila do të fokusohet në seksionin e grave dhe peizazhit të Hamamit të Gazi Mehmed Pashës.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1573-1574 nga Gazi Mehmed Pasha, si pjesë e ansamblit arkitektonik që përfshinte gjithashtu Xhaminë Bajrakli, një shkollë e mesme (medrese), një shkollë fillore (mejtepe), një bibliotekë dhe një mauzole (tyrbe).

Hamami karakterizohet nga një strukturë prej njëzet kupolash dhe paraqet një shembull të hamamit dysh, për përdorim për të dy gjinitë.

Deri në vitin 1964, hamami ishte i rrethuar nga objekte tregtare, të cilat më pas u rrënuan, kur filluan ndërhyrjet konservuese në ndërtesë. Në vitet 1970, filluan iniciativat e fragmentuara për restaurim, të cilët nuk u përfunduan dhe objekti përfundimisht u braktis. Që nga viti 2000, pjesa e ftohtë e hamamit përdoret si hapësirë për aktivitete të ndryshme kulturore, artistike dhe arsimore.

Shpërndaje