Prezenca e OSBE-së organizon vizitë në Serbi për gazetarët shqiptarë që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta…

Shpërndaje

Dhjetë gazetarë nga media të ndryshme në Shqipëri, që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe të armëve të vogla e të lehta (AVL), zhvilluan një vizitë në Beograd, nga 19 deri më 22 dhjetor 2022, për të mësuar rreth praktikave më të mira rajonale dhe për të shkëmbyer përvoja për  çështjet e sigurisë dhe të AVL-ve. Në takime morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Policia e Shtetit, Komisioni Kombëtar i AVL-ve si dhe nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Kjo vizitë shkëmbimi përvojash u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi dhe me kontributin e Zyrës Qendrore për Evropën Lindore dhe Juglindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC) dhe të PNUD-it në Serbi.

“Roli i medias në rritjen e ndërgjegjësimit për uljen e rrezikut nga armët e vogla dhe të lehta është pjesë thelbësore e projektit ‘Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve’”, tha Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit.

Gjatë vizitës, gazetarët shqiptarë u njohën nga anëtarët e “Rrjetit media kundër dhunës” se si ky rrjet, i përbërë nga 90 gazetarë, i ndihmoi ata për të përmirësuar cilësinë e raportimit. Po ashtu, ata patën mundësinë të ulen së bashku me autoritetet shqiptare, për herë të parë, e të diskutojnë se si të përmirësohet bashkëpunimi mes palëve të interesuara në këtë fushë. Gazetarët dhe zyrtarët shprehën angazhimin për të rritur dialogun mes tyre për çështjet që i shqetësojnë.

Media është faktor kyç për informimin dhe edukimin e publikut, duke kontribuar drejtpërdrejt në objektivin e katërt të Udhërrëfyesit të Kontrollit të AVL-ve: “Deri në vitin 2024, të ulet ndjeshëm ofertën, kërkesën dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit përmes rritjes së ndërgjegjësimit, edukimit, shtrirjes dhe advokimit” [1]. Po ashtu, partneriteti me median është thelbësor për Prezencën e OSBE-në, si pjesë e mandatit dhe e përpjekjeve të saj për të promovuar lirinë e shprehjes.

Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e rolit të medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe vlerësimin e nevojave të gazetarëve për ngritjen e kapaciteteve në lidhje me raportimin cilësor, mbështetur në praktikat më të mira të Ballkanit Perëndimor. Vizita do të pasohet me ngritjen e kapaciteteve dhe veprimtari të tjera mbështetëse për gazetarët.

Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës.

Shpërndaje