Prezantohet Qatip Osmani, trajneri nis menjëherë nga puna te Vllaznia: Më pëlqen loja sulmuese, objektivi është…

Shpërndaje

Qatip Osmani do të debutojë ditën e nesërme kundër Erzenit në krye të Vllaznisë, me shkodranët që do të kërkojnë fitore. Gjatë prezantimit të tij, tekniku 54-vjeçar u shpreh se objektivi është kreu i tabelës dhe se gjithashtu do të provojë që të bëjë lojë sulmuese me skuadrën kuqeblu.

“Jam i lumtur që mora drejtimin e një skuadre siç është Vllaznia. Shkodra njihet si qyteti i futbollit. Jam i vetëdijshëm në çfarë rrethi kam ardhur. Jam i vetëdijshëm për atë që pret presidenca, por edhe tifozët. Në bisedimet me presidencën e klubit pashë ambicie. Gjithashtu edhe unë jam ambicioz. Me kalimin e kohës te Vllaznia priten rezultate. Vllaznia është një ekip që synon kreun e tabelës. Mendoj se të gjithë së bashku do të arrijmë qëllimet e klubit.

Unë kur kam filluar bisedimet me presidencën sigurisht jam interesuar për ekipin. Momentalisht ka disa probleme që ne do të mundohemi t’i rregullojmë. Presim që të rikuperohen sa më shpejtë lojtarët dhe të vazhdojmë me rezultatet që priten prej këtij klubi.

Unë jam trajneri i një klubi që ka një histori të pastër, një nga klubet më të mira në Shqipëri, 9-herë kampione, 8-herë fituese Kupe dhe vetvetiu këto objektiva tregojnë për objektivat e klubit.

E vërtet, e preferoj lojën sulmuese. Ne duhet të koncentrohemi me ekipin. Një stërvitje kemi bërë dhe mendoj se është ende herët për të bërë një vlerësim, por sipas informatave që kemi, mendoj që Vllaznia ka lojtarë kualitativ, lojtarë që mund ta luajnë këtë lojë.

Për shkak të situatave momentale, dëmtimet na bëjnë që mos të kemi shumë ndryshime për lojtarët që do të dalin në fushë. Ndoshta do të mundohemi të kemi një përmirësim të vogël në lojën e ofensivës, por situata na dikton që mos të kemi shumë ndryshime.

Në bisedë me presidencën, por edhe me njerëzit që punojnë me mua, mendoj se edhe trajneri para meje ka bërë një punë të mirë, një punë që ne na bën ta vazhdojmë atë, për shkak se jeta jonë është e tillë. Edhe mua si trajner më ka ndodhur këto situata. Unë kam dëgjuar për trajnerin që ka qenë para meje, që është trajner i mirë, por që për fatin tonë dhe rezultatet nuk kanë qenë ato të pritshme, por loja nuk ka qenë e dobët e Vllaznisë. Ne na mbetet ta vazhdojmë punën e trajnerit tjetër.

Fitorja nesër? Po sigurisht, patjetër.

Synimet e klubit janë kreu i tabelës. Unë thash që e kam preferuar lojën sulmuese, ku nëpërmjet kombinimeve vjen dhe rezultati. Jam i vetëdijshëm që dhe me lojtarët që disponon nuk mund ta arrish, por mendoj se me kthimin e lojtarëve që kemi momentalisht të lënduar mund të ecim në atë rrugë.

Nëse bëhet fjalë për ekipin e Erzenit, ekip i cili këtë vit ka qenë një ekip serioz.

Këto biseda i kemi bërë. Në janar kur vjen pauza e kampionatit do të bëjmë një hap konkret”, u shpreh Osmani për mediat.

PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje