Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka biseduar në telefon me presidentin rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës së Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, gjatë telefonatës u diskutua sulmi rus ndaj Ukrainës dhe u vlerësuan marrëdhëniet Turqi-Rusi.
Gjatë bisedës, presidenti Erdoğan ka deklaruar se janë të gatshëm të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit të Ukrainës me metoda paqësore.
Presidenti turk është shprehur se një armëpushim i përgjithshëm urgjent jo vetëm që do të eliminonte shqetësimet humanitare në rajon, por gjithashtu do të mundësonte kërkimin e një zgjidhjeje politike.
“Të hapim rrugën e paqes së bashku”, ka përsëritur Erdoğan thirrjen e tij.
Ai ka theksuar rëndësinë e hapave drejt armëpushimit në Ukrainë, hapjes së korridoreve humanitare dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje.
Duke thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me palën ukrainase dhe vendet e tjera, presidenti Erdoğan ka deklaruar se do të vazhdojë përpjekjet e tij për të zhvilluar negociata gjithëpërfshirëse dhe për të arritur rezultate.