Në kuadrin e masave paraprake parandaluese, planifikuese për emergjencat e pritshme sezonale, Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni ka vijuar takimet me drejtuesit e institucioneve anëtare të Komisionit të Mbrojtjes Civile.
Në rolin e kryetares së Komisionit të Mbrojtjes Civile, Prefektja Angoni shoqëruar nga Përgjegjësi i Sektorit të Planifikimit, Përballimit Emergjencave Civile dhe Krizave në Institucionin e Prefektit të Qarkut Shkodër Pëllumb Dani zhvilloi një takim me drejtorin e H/C Vau Dejës, Luan Heta.
Pas një prezantimi të shkurtër lidhur me situatën aktuale hidrike, Prefektja Angoni inspektoi më nga afër investimet që po kryhen nga Qeveria Shqiptare dhe KESH në rinovimin teknologjik të kushinetave mbështetëse në të 5 agregatët si dhe kalimin e tyre në një sistem modern 100 % të digitalizuar.
Gjatë takimit, Prefektja Angoni theksoi rëndësinë e politikave dhe projekteve me qasje sociale për komunitetin Vau Dejës që do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen e efiçencës së energjisë por edhe në zhvillimin e turizmit të qendrueshëm në të ardhmen.
Në vazhdën e agendës së takimeve, Prefektja Angoni zhvilloi një takim me Drejtorin e OST për rajonin e Veriut ku u informua lidhur me masat paraprake të marra në kuadrin e garantimit të furnizimit me energji elektrike të sistemit 110, 220 dhe 400 mijë volt për të gjithë zonën veri lindore.