Prefektja e Qarkut Shkodër thirrje Taskë Forcës Covid-19: Shtoni kontrollet në terren e bashkëpunimi me njësitë e vetëqeverisjes vendore, kusht për plotësimin e masave anti Covid-19.
Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni zhvilloi një takim pune me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Taskë Forcës anti Covid-19 në Qarkun Shkodër.
Tryeza teknike kishte në fokusin e saj punën e bërë në parandalimin, monitorimin dhe reagimin ndaj përhapjes anti Covid-19 në të gjithë territorin e Qarkut, në zbatim të masave dhe protokolleve të sigurisë.
Gjatë takimit u analizuan problemet kryesore që paraqiten shqetësuese për veprimtarinë e grupit taskë forcë, specifikisht duke u ndalur në mbarëvajtjen e procesit mësimor në të gjithë territorin e Qarkut.
Në vijim të takimit Prefektja Angoni, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në respektimin e rregullave të sigurisë për mbrojtjen nga infeksioni COVID-19.
“Zbatimi i protokolleve të sigurisë, distancimi fizik, mbajtja e maskave dhe dezinfektimi për subjektet shtetërore dhe private duhet të jetë prioritar. Të gjithë institucionet shëndetësore të marrin përgjegjësitë e tyre për të siguruar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor si dhe të monitorojnë shëndetin e nxënësve dhe stafit arsimor.”
Prefektja Angoni, theksoi rëndësinë e koordinimit e planit të masave me Policinë e Shtetit, lidhur me ndërhyrjet në ambjentet masive, bashkëpunimin me strukturat e inspektoriateve dhe bashkive për respektimin e masave anti Covid-19.
Përmes kësaj tryeze, Prefektja Angoni, i bëri thirrje Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror të shtojnë grupet e inspektimit në terren dhe të tregojnë tolerancë 0 ndaj çdo shkeljeje të protokolleve të sigurisë.
Prefektura e Qarkut Shkodër apelon qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave anti-COVID për të frenuar përhapjen e infeksionit.