Shkodra është një prej qarqeve më të prekura nga epidemia e koronavirusit me 44 raste, 37 prej tyre vetëm në qytet. Pas zbulimit të rasteve të fundit pati një përplasje mes palëve edhe për faktin se bashkia e Shkodrës drejtohet nga një përfaqësuese e PD.
Prefekti i Shkodrës Çesk Millja ka folur pikërisht për këtë situatë dhe debatet në një lidhje ‘live’ për emisionin “Real Story” në News24. Ai tha se ndiqet një strategji shëndetësore e miratuar nga qeveria dhe se informacioni për familjet nuk nxirret për shkak të konfidencialitetit.
Pse ky bashkëpunim është i vonuar mes jush?
Unë e dëgjova kryetaren e bashkisë në detyrë. Ajo është pjesë e gjithanshme e gjithëpërfshirë në gjithë aktivitetin e bashkisë dhe detyrimet ligjore. Ne në kuadër të kësaj emergjence shëndetësore jemi të detyruar të zbatojmë këtë strategji shëndetësore. Ne jemi të gjithë përballë kësaj epidemie që na ka kapur, të jemi të unifikuar në mendim, veprim. Komiteti i emergjencave civile që është i mbledhur në nivel qarku, në nivel bashkie dhe deri në nivel njësie për të zbatuar atë program qeverie.
Në bazë të aktit normativ që ka dalë, zonja Ademi ka ngritur strukturën që raporton çdo ditë.
Zonja Ademi pretendon se është informuar vetëm dje për emrat e familjeve të sëmura që janë dhe burimi kryesor i 37 rasteve në Shkodër? Ju thoni që zonja Ademi nuk ka pse ti dijë emrat?
Ka një strategji. Ekspertiza teknike ka vendosur një platformë që realizon komplet mbështetjen e personelit që janë të infektuar. Pra, njësitë e shëndetit publik vendor, ndjekin, monitorojnë, asistojnë me mjekë specialistë pacientët. Është një strukturë e ngritur me ligj.
Nëse njerëzit janë të izoluar këtyre njerëzve u duhet dërguar ushqime, apo i çoni ju? Ndihma dhe gjithë asistenca vjen nëpërmjet strukturave të shëndetit publik dhe bashkë me mjekun familjarë shkojnë pranë tyre dhe i ndjekin. Kjo është struktura.
Çdo gjë koordinohet, bashkëbisedohet por emra konkret për momentin është ndjekur kjo politikë. Edhe dje në takimin me ministrin dhe me Presidentin sot u shtrua dhe ky problem. U sqaruam sepse ka dhe një ligj tjetër i cili gjatë procesit të sëmundjeve infektive ka një pikë të ligjit që duhet ruajtur konfidencialiteti.