Kolegji Zgjedhor këtë të hënë ka vendosur që të pranojë padinë e Partisë Socialiste dhe ka shfuqizuar vendimin e KAS, për listat e kandidatëve të koalicionit opozitar PD-AN.
Në vendimin e sotëm Kolegji ka pranuar ankimimin e PS-së e cila doli kundër listave me 222 emra të Partisë Demokratike, përballë 153 emrave të tyre për zgjedhjet e 25 prillit. Me këtë vendim lista e koalicionit PD-AN reduktohet nga 222 emra në 153 njëlloj si kundërshtari i tyre.
Ndërkohë kujtojmë se pak ditë më parë Partia Demokratike fitoi betejën e parë ligjore dhe juridike në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo falë votës së ish-ministrit të tyre, Ilirjan Rusmajli, edhe pse demokratët i dogjën mundësinë për të marrë drejtimin e KQZ-së.
Gjithashtu Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) rrëzoi vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi i cili i shkurtoi listën e kandidatëve për deputetë koalicionit PD-AN. KAS vendosi të pranojë listën me 222 kandidatë për deputetë të koalicionit PD-AN, listë që është rrëzuar përfundimisht nga Kolegji zgjedhor.