“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se drejtuesit kanë ditë që kanë nisur punën në fshehtësi të plotë dhe emri më i lakuar në klub është pikërisht ai i mesfushorit Sabien Lilaj, i cili fitoi gjithçka si lojtar me Skënderbeun dhe Tiranën, në një kohë që pas aventurës në Izrael, luajti për një vit e gjysmë me Prishtinën në Kosovë.
Tashmë Lilaj është larguar nga kampionët kosovarë dhe gazeta zbulon se një prej ekipeve që e do është Vllaznia. Mirëpo, në parim lojtari ka arritur akordin me Dinamon dhe duket e vështirë që të pranojë të vishet kuqeblu.
Gjithsesi, edhe për këtë pjesë drejtuesit shkodranë kanë menduar dhe mësohet se kanë futur si shkes pikërisht Liridon Latifin.
Ky i fundit ka qenë shok skuadre me Lilajn te Skënderbeu për tri vite radhazi dhe po përpiqet tani të bindë korçarin që të vijë te Vllaznia.
Nuk dihet se si do të shkojnë negociatat, por nuk është çudi që Lilaj të ndryshojë mendje dhe të refuzojë Dinamon për Vllazninë.
Nuk është hera e parë që klubi shkodran kërkon 32- vjeçarin, por në të kaluarën oferta që i ka bërë Vllaznia, nuk është pranuar nga lojtari.
Në rast se Lilaj pranon të vishet kuqeblu, atëherë do të kompletonte përfundimisht qendrën e mesfushës, aty ku Krymi dhe Jonuzi po luajnë vazhdimisht, por mungon ai futbollisti që do të shtonte konkurrencën.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL