Të shumta janë rastet kur qytetarët i bien shkurt duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe duke u bërë një potencial serioz për aksidente në rrugore. Qytetarët rrezikojnë jo vetëm veten e tij, por edhe drejtuesit e automjeteve duke kaluar mes për mes autostradës Tiranë-Durrës.
Por një situatë e tillë nuk do të tolerohet më dhe pas 7 vitesh nga hyrja në fuqi të dispozitave ligjore, Policia Rrugore ka nisur aplikimin e gjobave edhe për këmbësorët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Në nenin 188 të Kodit Rrugor, këmbësori i cili shkel rregullat e qarkullimit rrugor gjobitet nga 500 deri në 2 mijë Lekë.
“Për këmbësorët, të cilët kapërcejnë karrexhatën dhe jo në vendet e përcaktuara, ndëshkohen njëlloj si drejtuesit e mjetëve që nuk i japin përparësi këmbësorit, në kalimet e përcaktuara për këmbësorët”, deklaroi Gerhard Baka, specialist trafiku në Policinë Rrugore.
Pavarësisht se gjobat parashikohen deri në 2 mijë Lekë, policia ka zgjedhur që fillimisht të aplikojë gjoba deri në 1 mijë Lekë, kjo edhe si një masë sensibilizuese.
“1 mijë Lekë të reja masa adminstrative për këmbësorin. Deri në likujdimin e masës administrative, i mbajmë kartën e identitetit dhe në momentin që këmbësori paraqet mandatin, i kthehet karta e identitetit”, u shpreh Baka.
Sipas INSTAT, këmbësorët janë të dytët për shkakun kryesor të aksidenteve rrugore. Në 16 % të rasteve aksidentet ndodhin për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga këmbësorët. /TvKlan