POLICIA NË ALARM/ Zhdukën 3 të rinj në vend. Vazhdon “dukuria” e denoncimit të largimit të të miturve nga banesa

Shpërndaje

Policitë e tri rretheve kanë marrë denoncime në lidhje me largimin pa gjurmë të fëmijëve të tyre. Bëhet fjalë për një djalë dhe dy vajza, adoleshente, të cilat janë në kërkim nga ana e Policisë për të gjetur vendndodhjen e tyre.

Në lidhje me largimin e dy vajzave mësohet se Policia ka regjistruar kallëzimin e dy ditëve të fundit, ndërkohë që në lidhje me “zhdukjen” e një të riu në Sarandë, bëhet me dije se ngjarja daton 14 dhjetorin e vitit të kaluar.

Për rastin e të riut nga Saranda, Policia ka bërë me dije se ka nisur kontrollet në të gjitha pikat kufitare, sidomos me ato të Greqisë, ndërkohë që në lidhje me dy denoncimet që tregojnë për largimin e të miturave, Policia po merr në pyetje familjarët e vajzave për të mësuar ndonjë lidhje shoqërore.

Ngjarjet e dy vajzave janë shënuar në Përrenjas dhe në Tiranë. Policia zyrtarisht thotë se vajza nga Përrenjasi është 15 vjeçe, ndërsa ajo nga Tirana 16. Policia ka kërkuar numrat e telefonave të të larguarve, ndërkohë që ka nisur të verifikojë rrjetet sociale për të mësuar nëse kanë ndonjë person, tek i cili mund të kenë shkuar kohëve të fundit.

Po ashtu, Policia bën me dije se ka marrë edhe dëshmitë e disa personave që kanë njohje me të miturat, por ende nuk është bërë e mundur që të zbulohen vendndodhjet e tyre. Në fakt, prej shumë kohësh largimi i vajzave të mitura nga banesa është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues për Policinë, kryesisht nëpër zona bregdetare dhe në Tiranë.

Shpesh, Policia përballet me largimin me dëshirë të tyre për të qëndruar kryesisht me të dashurit e tyre, ndërkohë që familjarët e tyre lëshojnë alarmin derisa fëmija të kthehet në shtëpi.

Ndërkohë, Policia e Vlorës ka bërë me dije se ngjarja që është denoncuar me datën 12 janar të këtij viti ka ndodhur që me 14 dhjetor. Denoncimin në Polici e ka kryer motra e të ‘zhdukurit’ pa gjurmë, i cili nuk ka komunikuar me familjen e tij që prej asaj dite.

Dyshimet e para të Policisë lidhen me largimin e tij në drejtim të Greqisë, por familjarët kanë treguar se nuk kanë asnjë informacion as nga ana e të afërmeve të tyre që gjenden kryesisht në Athinë, që 22-vjeçari të ketë shkuar atje.

Shpërndaje