Policia e Shtetit: Sistemi TIMS doli jashtë funksionit për një kohë të shkurtër

Shpërndaje

Policia e Shtetit njoftoi se të shtunën, për një kohë të papërcaktuar, por të cilësuar “të shkurtër” prej saj, sistemi TIMS ka dalë jashtë funksionit në një pikë kufitare, të papërcaktuar.

Sipas policisë kjo ka ndodhur për shkak të një defekti elektrik në zonë.

“Në datë 23.05.2020, në orët e para të mëngjesit, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike për shkak të një defekti, sistemi TIMS, për një kohë të shkurtër, doli jashtë funksionit. Menjëherë pas riparimit të defektit në rrjetin elektrik të zonës, po në orët e para të mëngjesit të datës 23.05.2020, sistemi TIMS është vënë në punë dhe vijon të funksionojë normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.

Theksojmë faktin se në Pikat e Kalimit Kufitar nuk është shfaqur asnjë problematikë, pasi kufijtë janë të mbyllur dhe në orën që kishte defekt sistemi, nuk ka pasur lëvizje personash.

Policia e Shtetit, aplikon regjistrimin manual të personave në çdo rast që sistemi mund të shfaqë probleme, duke bërë verifikim të thelluar të të dhënave, bazuar në listat e personave në kërkim, të cilat janë në dispozicion të punonjësve të Policisë në çdo DVP dhe Pika Kalimi Kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shpërndaje