DVP Shkodër
Si rezultat i kontrolleve që vijojnë të kryhen në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, vihen në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe 1 shtetas që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin në kërkim P. N., 44 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Velipojë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjygjësore”, sepse ka kallëzuar se i kishin vjedhur automjetin, ndërkohë që e kishte shitur atë.
-Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin B. K., 57 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës.
Këta specialistë po punojnë edhe për kapjen e shtetasit P. Z., 40 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, Shkodër, pasi nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, u konstatua se kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, në lokalin e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës po punojnë për kapjen e shtetasit N. I., banues në Sarandë, pasi ka bërë kallëzim një shtetase 24 vjeçe, banuese në fshatin Kosmaç, se ky shtetas e ka kanosur që të vazhdojë lidhjen me të.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kirbernetike të DVP Shkodër, pas kallëzimit nga një 57-vjeçare, banuese në Shkodër, referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për të zbardhur rastin e keqpërdorimit të të dhënave personale të saj, në rrjetet sociale “Instagram” dhe “Facebook”.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve Kirbernetike të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. L., 42 vjeçe, banuese në fshatin Ana e Malit, A. K., 35 vjeç dhe E. K., 44 vjeç, të dy banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, pasi ka kallëzuar një 34-vjeçare, banuese në Shkodër, se i kanë hapur një llogari false në rrjetin social “Tik tok”.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.