Policia e Shkodres arreston një shtetas të shpallur në kërkim për mashtrim

Shkodër

Vijon operacioni policor i koduar ‘‘North Forex“, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike.

Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim K. M., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, më datë 21.11.2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigursë ‘‘Arrest në burg“, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Më herët, në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” për Hetimin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, janë vënë në pranga 9 persona të cilët kishin krijuar një skemë mashtrimi kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj.


Nga Seksioni për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

M. Rr., 34 vjeç banues në lagjen Skëndërbeg, Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.