Policia e Shkodres arreston 29 vjeçarin shpërndarës narkotikës…

Shpërndaje

Shkodër/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.

Vihet në pranga një 29-vjeçar që shiste doza kanabisi, në zona të ndryshme në qytet.

Sekuestrohen dozat e kanabisit që iu gjetën gjatë kontrollit fizik dhe doza të tjera të kësaj lënde, që iu gjetën gjatë kontrollit në banesë.

Sekuestrohet edhe automjeti që përdorte ky shtetas, për këtë veprimtari kriminale.

Në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë vijuar punën në terren, të mbështetur nga inteligjenca policore, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, në ambiente të ndryshme.,Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në zona të ndryshme të Shkodrës, është organizuar puna për kapjen e tij.

Në lagjen “Dergut”, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin F. M., 29 vjeç, banues në Shkodër, të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, janë gjetur një tjetër sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza dhe qese faramaceutike për paketimin e tyre.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e 29-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shpërndaje