Policia e Shkodrës arreston 26 vjeçarin, grabiti nën kërcënimin e armës një shtetas…

Vau i Dejës/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Pecaj”.

I vodhi, nën kërcënimin e armës, një shumë lekësh një shtetasi, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari.

Operacioni, nga Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve të shtuara për identifikimin dhe ndëshkimin e personave që lëvizin me armë zjarri, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pecaj”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. D. 26 vjeç, banues në fshatin Mnelë e Madhe,Vau Dejës.

Ky shtetas në lagjen “Pecaj”, fshati Mnelë e Madhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit dhe i maskuar, i ka marrë shumën prej 230 mijë lekë (të vjetër) shtetasit J. C. 39 vjeç, me banim në Rrilë, Lezhë, i cili po drejtonte automjetin tip “Ford”, dhe më pas shtetasi Gj. D. është larguar nga vendi i ngjarjes.
 
Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Gj. D., u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë, krëhëra pushke, 220 fishekë luftarak dhe 1 maskë me ngjyrë të zezë, e cila dyshohet se është përdorur nga ky shtetas për të kryer vjedhjen nën kërcënimin e armës.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.