Po planifikonin të vrisnin një person me mina me telekomandë në Tiranë, dështon atentati. Policia arreston 3 persona, shpallen në kërkim 2 të tjerë

Shpërndaje

Policia e Lezhës ka parandaluar një vrasje mafioze, pasi 2 persona do të ekzekutonin një tjetër për prishje pazaresh droge.

Policia njofton se ka sekuestruar 2 mina me telekomandë, 88 mijë € të përfituara nga droga, 2 snaiper, 1 automatik dhe 1 pistoletë.

Policia e Lezhës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, ka mësuar se disa persona po organizonin të kryenin një vrasje, duke përdorur mina me telekomandë dhe armë zjarri. Uniformat blu kanë organizuar operacionin “Mataro”, dhe kanë arrestuar në flagrancë 3 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Të arrestuar janë Mark Lamkja , Nikoll Marku dhe Marie Marku. Të shpallur në kërkim shtetasit Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka.

Vihet re se personat e shpallur në kërkim janë pikërisht ata që do të kryenin atentatin në Tiranë, të cilët sipas policisë janë të dyshuar për vepra të tjera të rënda kriminale. Ende nuk ka informacion për objektivin e atentatit të tyre.

“M. L., 27 vjeç, banues në fshatin Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”; N. M., 62 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe, të dy banues në lagjen “Varosh”, Lezhë. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasve E.V.,  31 vjeç dhe H.N., 31 vjeç, persona me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri ta lartë shoqërore, të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Si do të ndodhte atentati

Sipas uniformave blu, 2 persona Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit. Si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit Nikoll Marku.

Ndërsa Mark Lamkja, dhëndri i shtetasit Nikoll Marku., është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë  operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë.

Policia sekuestroi 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë;  88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit; 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.

Shpërndaje