Mbretëria e Bashkuar ka qenë prej kohësh një destinacion sa i preferuar, aq edhe i pamundur për shqiptarët që duan të emigrojnë. Janë të panumërt shqiptarët që për një jetë më të mirë zgjedhin rrugë emigrimi që ua kalojnë edhe skenarët e filmave hollivudianë.
Si ikën të miturit në 2019-n Fatbardh P., sapo kishte mbaruar studimet në fakultetin e ekonomisë kur vendosi që të nisej drejt Anglisë me kamion.
Kalvari deri sa mbërriti në Angli zgjati më shumë se një muaj, por të paktën atje do ta prisnin shumë të afërt, miq dhe familjarë, të cilët ashtu si ai jetonin në kryeqytetin anglez, Londrën, pa letra. Në verën e këtij viti, ai bën 5 vite që është përshtatur me jetën atje. Ndonëse këtu ka mbaruar fakultetin, atje është i detyruar që të punojë në të zezë. Ndan jetesën më shokë, që i ka bashkuar i njëjti fat, jetesa në ilegalitet.
Për Monitor ai thotë se është e pamundur që të bësh letrat në Angli, me përjashtim të martesës. Martesat e stisura me shtetas nga vendet e lindjes së BE-së janë bërë të kushtueshme, ndërsa me anglezët akoma edhe më të pamundura. Kështu që Fatbardhi e di mirë që qëndrimi në Angli do të ketë një afat përfundimi dhe shumë shpejt do të kthehet në Shqipëri, bashkë me kursimet që ka krijuar nga puna. Megjithatë, së fundmi po vihet re një tendencë tjetër e shqiptarëve që emigrojnë në Angli, të cilët po zgjedhin të shkojnë si azilkërkues.
Të dhënat e Eurostat për vitin 2019 treguan se aplikimet për azil nga shqiptarët në Londër arritën në 4000, me një kërcim prej 52% në krahasim me një vit më parë. Tani Mbretëria e Bashkuar është destinacioni i dytë pas Francës me numrin më të lartë të aplikimeve, ndërsa krahasuar me vitin 2010, numri i aplikimeve është 10-fishuar. Azilkërkuesit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar përfaqësonin 17% të totalit të kërkesave për azil në BE për vitin 2019 sipas të dhënave të Eurostat.
Flutura, përfaqësuese e Programit Shpresa, një organizatë aktive që merret me edukimin dhe trajnimin, mbështetjen dhe orientimin e shqiptarëve në Angli, e kontaktuar nga Monitor, tha se në Mbretërinë e Bashkuar është e pamundur që të përfitosh azil ekonomik. Një pjesë e atyre që aplikojnë për azil në Mbretërinë e bashkuar duhet të vërtetojnë që jeta e tyre është në rrezik në vendin nga ata vijnë, në rastin konkret nga Shqipëria.
Ajo çka Flutura ka vënë re nga rastet që janë paraqitur në Programin Shpresa është se pjesa më e madhe e tyre nuk janë të mirë informuar. Edhe për vitin 2019 numri i azilkërkuesve shqiptarë në Europë shënoi rritje, ku sipas të dhënave të Eurostat aplikuan 23,525 shqiptarë.
Franca ishte sërish edhe këtë vit destinacioni kryesor i azilkërkuesve me rreth 9,235 aplikime në total, apo 40% i totalit të aplikimeve të shqiptarëve në Evropë. Megjithëse duhet shtuar se numri i tyre ka qenë në rënie në dy vitet e fundit. Aplikimet e shqiptarëve në Francë kapën rekord gjatë 2017-s ku u regjistruan gjatë gjithë vitit mbi 12 mijë aplikime, duke kapërcyer edhe aplikimet në Gjermani. Aplikimet në Gjermani kanë rënë sërish për të katërtin vit radhazi, me 2565 aplikime, apo 11% më pak në krahasim me një vit më parë. Pas Francës dhe Mbretërisë së bashkuar, në vend të tretë renditet Greqia me rreth 3055 aplikime në total, edhe pse krahasuar me një vit më pak aplikimet kanë qenë rreth 8% më të ulëta.
Viti 2019 ka shënuar një rritje të aplikimeve edhe në Itali, me gati 21%, duke arritur në 1570 aplikime në total.
Edhe pse në totalin e aplikimeve nga shqiptarët përfaqësojnë vetëm 4%, aplikimet në Irlandë janë dyfishuar në raport me një vit më parë, duke sinjalizuar kështu një tendencë të re aplikimesh. Në Belgjikë numri i aplikimeve në 2019-n ishte 680, ndjekur nga Suedia me 545 dhe Holanda me 270, të cilët të marrë së bashku përfaqësonin 6% të totalit të aplikimeve.
Çereku i kërkesave për azil nga minorenët
Rreth 25% e kërkesave për azil nga shqiptarët janë bërë nga individë nën moshën 18 vjeç. Sipas të dhënave nga Eurostat, aplikimet për azil nga minoret në 2019-n ishin 5965 aplikime, me një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë. Prej tyre vetëm në Mbretërinë e bashkuar kishin aplikuar për azil 705 të mitur, edhe pse rekordi i aplikimeve nga minorenët shqiptar në këtë shtet është shënuar në 2014-n me 925 aplikime.
Pjesa dërrmuese që marrin iniciativën për të aplikuar për azil janë të rinjtë. Në 2019-n, 51% e aplikimeve për azil ishin bërë nga grupmosha 18-34 vjeç. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 70% e aplikimeve për azil i përkisnin kësaj grupmoshë. Sipas të dhënave të Eurostat aplikimet e grupmoshës 34-64 vjeç përbënin 20% të aplikimeve./marre nga monitor