Në kampin shkodran kanë besim se kthesa do të vijë që nesër dhe Vllaznia do ta shohë veten të kualfikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Në prag të ndeshjes me Korabin, para gazetarëve ka dalë zëvendëstrajneri Elvis Plori i cili ka shprehur bindjen se skuadra do të reagojë që në përballjen e së mërkurës.
Të them të drejtën nuk ka qenë një ecuri si në dy fazët e para. Normalisht që çdo skuadër ka oshilaecionet e veta, por ne prisnim të ktheheshim pak më shpejt. E patëm këtë mundësi të ktheheshim që në ndeshjen me Teutën, por nuk patëm fatin me vete. Mund të them se në këto ndeshjet e fundit nuk kemi bërë lojëra të dobëta, por kemi patur disa momente të vështira dhe si rrjedhojë pësuam ato gola që na çuan në një ngarkesë më të lartë psikologjike.
Ne kemi shpresë se do të dalim nga kjo situatë sepse ne ishim që e sollëm Vllazninë deri këtu dhe kuptohet që ne duhet ta nxjerrim nga gjendja ku ndodhet. Më mirë se e dimë ne se çfarë force kanë këto djem, nuk e di askush tjetër. Kemi nxjerrë mësimet e duhura, kemi marrë përsipër gabimet të gjithë bashkë dhe mendoj se do të kthehemi shpejt aty ku duhet.
Të gjitha ndeshjet tashmë janë të rëndësishme. Edhe kupa është shumë e rëndësishme sepse është një objektiv i Vllaznisë. Ky klub gjithmonë ka objektiv kupën dhe kampionatin, kështu që mendoj se e kemi një mundësi të mirë për të rikthyer një trofe në Shkodër dhe duhet të përqendrohemi 100 % tek ndeshja e Kupës dhe të mos kemi fare nënvlerësimi. Ndërsa për ndeshjen me Kastriotin, është mundësia më e mirë për të bërë kthesën në kampionat që prej së dielës.
Korabi sigurisht që vjen me objektiva në Shkodër dhe është një skuadër që ka bërë mirë deri tani si në kampionat ashtu edhe në kupë ku ka eliminuar Tiranën. Në kupë ka gjithmonë surpriza të tilla, por edhe ne jemi në një pozicion ku mund të neglizhojmë për asnjë moment. Duhet të fokusohemi dhe të japim maksimumin tonë për të mos e diskutuar fitoren e ndeshjes. Diferencat do të jenë në fushë por diferencë duhet të bëjë edhe ana psikologjike. Duhet të jemi më lart në këtë drejtim në mënyrë që të marrim maksimumin nga lojtarët tanë.
Kemi vuajtur në sulm në këto ndeshjet e fundit, ndonëse kemi bërë shumë punë përpara por na ka munguar ai lojtari që e merr topin dhe e çon në rrjetë. Ka ndikuar ana psikologjike tek lojtarët, por ndoshta kanë qenë edhe të pafat se ka patur goditje shtylle e raste të tjera të pastra. Tani duhet të jemi të qetë. Sulmuesit kanë nevojë për qetësi sepse pa këtë gjë, skuadra vuan.