Pikantet e Teuta-Vllaznia/ Harrojnë të ndezin dritat, lojtarët nxehen në… errësirë

Shpërndaje

– Dritat e “Elbasan Arena”-s ndizen me vonesë, aq sa ekipet dolën për të bërë nxehjen pa u ndezur mirë ato. Një situatë deri diku qesharake, teksa ka qenë tërheqja e vëmendjes nga stafi i Vllaznisë që në stadium të vinin dritat.

 Loja ka qenë mjaft e ashpër në fushë, teksa vetëm brenda pesë minutave stafi mjekësor i Teutës futet në fushë tri herë për t’u dhënë ndihmën lojtarëve.

 Tomas Brdariç ironizon kartonin e kuq të Aralicës, duke duartrokitur vendimin e arbitrit. Më pas, kthehet nga gjyqtari i katërt dhe kërkon shpjegime për këtë vendim në dëm të skuadrës së tij. Pas ndeshjes e pranoi se kartoni i kuq ka qenë i drejtë.

 Gurishta merr karton të verdhë pas një ndërhyrjeje pranë pankinës së tij, kur po qëndronte edhe gjyqtari i katërt. Në këtë moment mbrojtësi kthehet nga Bastari për t’i kërkuar shpjegime.

 Vllaznia kërkon ndëshkimin me një karton të kuq të Xheksonit pas një ndërhyrjeje të tij ndaj Gurishtës me bërryl, por nuk është i këtij mendimi kryesori Alla. Gjatë gjithë ndeshjes duhet thënë se u luajt një lojë e ashpër nga të dyja ekipet.

 Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, lojtarët e stolit të Vllaznisë e bënë nxehjen jo krah pankinave, por në një cep pas portës.

 Prania e tifozëve la për të dëshiruar, sepse numri ishte shumë i paktë. Ndoshta për Teutën pritej, por jo për shkodranët.

 Duke parë momentin e mirë të shkodranëve, tifozët e Teutës i bënin thirrje ekipit në fushë: “Luani o kampiona! Luani se jeni edhe një lojtar më shumë!”

 Në këtë ndeshje prishet tradita e pankinave, teksa ekipi vendas, që ishte Teuta, nuk qëndroi nga pankina në të majtë, por në krahun tjetër.

 Në pjesën e dytë, pak para golit të barazimit të Vllaznisë, ka tension në tribuna midis tifozëve të të dyja palëve. U desh ndërhyrja e forcave të policisë për të neutralizuar situatën.

 Në momentin e zëvendësimit, Liridon Latifi shkoi të përqafonte trajnerin, duke mbyllur kështu edhe historinë me nervozizmin e disa javëve më parë.

 Ky barazim në këto kushte për Vllazninë u mirëprit mirë nga tifozët, për më tepër që ishte një ndeshje transferte ndaj kampionëve në fuqi. Në fund të ndeshjes ata i bënë “pritë” ekipit tek autobusi, duke i duartrokitur dhe përshëndetur.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje