Pezullohen nga detyra të gjithë drejtuesit vendor të Krimit Ekonomiko-Financiar, deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit. Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, për shkak të mungesës së efikasitetit të këtyre strukturave dhe mospërmbushjen e pritshmërive në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike, apo goditjen e korrupsionit.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zhvilluar takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor, “në përgjigje të shqetësimeve dhe marrjen e masave të forta reaguese, duke veçuar 3 çështje kryesore, që lidhen me luftën kundër krimit ekonomik, masat antikanabis dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral”.
Gjatë takimit, Ministri vuri theksin te lufta pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit dhe në këtë aspekt sutrukturave policore do u vijë në ndoihmë përdorimi i teknologjisë së lartë, dhe pamjet e përftuara nga satelitët në monitorimin e territorit.
Ministri tha se për çdo parcelë që do të konstatohet nga agjenci të tjera, do të ketë përgjegjësi individuale, për drejtuesit vendorë. Vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet kontrolleve në ambiente të mbyllura.
Ministri i Brendshëm kërkoi angazhimin maksimal të strukturave inteligjente dhe ato të Rendit të Policisë, për mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor të 14 majit, duke parandaluar dhe goditur me forcën e ligjit, çdo tentativë për shit-blerje vote. Ai ka kërkuar goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që policia t’i shmanget çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të lidhur me ta.
Ministri theksoi se vlerësimi i performancës për çdo drejtues vendor apo qendor në Policinë e Shtetit, është dhe do të mbetet kriteri kyç, duke e matur punën e çdokujt me rezultatet në terren.