Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama ishin sot të ftuar të marrin sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.
Kreu i shtetit dhe kreu i qeverisë kanë përshëndetur njëri tjetrin, duke takuar bërrylin, dhe jo dorën, si përshëndetja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
I pyetur nga gazetarët nëse pas përshëndetjes me bërryla e ka falur kryeministrin pasi e akuzoi për grush shteti, Meta tha se ishte në mbledhje për çështjen e integrimit europian dhe se do jetë gjithmonë i disponueshëm ndaj çdo angazhimi të tillë.
Ilir Meta: ”Ishim për çështjen e integrimit europian, dhe ju e dini që për këtë çështje unë kam qenë, jam dhe do mbetem gjithmonë i disponueshëm ndaj çdo angazhimi.
Gjithmonë kam bërë çdo gjë që Shqipëria të mos e humbasi kohën që ka shpërodruar në këto dy dekada. Përpara 20 viteve Shqipëria ka qenë në të njëjtën korsi me Kroacinë e cila është prej vitesh anëtare e BE-së dhe shumë përpara Malit të Zi apo Serbisë.
Sot jemi në një situatë jo shumë pozitive dhe qytetarët e kanë humbur besimin tek serioziteti i realizimit të stadardeve europiane në vend. Duhet të rikthejmë shpresat te qytetarët tanë që ky vend të fitojë një energji të re dhe motivim të ri.”
Mbledhja vjen në një kohë kur BE ka dhënë aprovimin për çeljen e negociatave me vendin tonë dhe kur maxhoranca dhe opozita kanë dakordësuar marrëveshjen për Kodin e Ri zgjedhor.